​Trump paralajmëron sanksione ose tarifa masive ndaj Rusisë brenda dy javësh

Presidenti amerikan Donald Trump tha të premten se do të dijë brenda dy javësh nëse mund të bëhet përparim drejt përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë, ndërsa aludoi gjithashtu për sanksione të mundshme kundër Moskës. Duke folur me gazetarët në Zyrën Ovale, Trump shprehu zhgënjim me sulmet e fundit ruse që dëmtuan një fabrikë amerikane që vepronte…

Lajme

22/08/2025 20:59

Presidenti amerikan Donald Trump tha të premten se do të dijë brenda dy javësh nëse mund të bëhet përparim drejt përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë, ndërsa aludoi gjithashtu për sanksione të mundshme kundër Moskës.

Duke folur me gazetarët në Zyrën Ovale, Trump shprehu zhgënjim me sulmet e fundit ruse që dëmtuan një fabrikë amerikane që vepronte në Ukrainë.

“Nuk jam i lumtur për këtë dhe nuk jam i lumtur për asgjë që ka të bëjë me atë luftë. Gjatë dy javëve të ardhshme, do të zbulojmë se në cilën drejtim do të shkojë. Dhe më mirë të jem shumë i lumtur,” tha Trump, raporton KosovaPress.

I pyetur se çfarë do të ndodhë pas dy javësh, Trump tha: “Do të marr një vendim se çfarë do të bëjmë, dhe do të jetë një vendim shumë i rëndësishëm, dhe kjo është nëse do të jenë sanksione masive apo tarifa masive, apo të dyja, apo nuk do të bëjmë asgjë dhe do të themi se është lufta juaj?”

Trump ka bërë përpjekje për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë. Ai zhvilloi disa raunde bisedimesh me të dyja palët, përfshirë një samit me presidentin rus Vladimir Putin në Alaska më 15 gusht, dhe njoftoi përgatitjet për një takim të mundshëm midis presidentit ukrainas dhe atij rus.