Trump: Kemi një flotë të madhe që po shkon drejt Iranit – do të doja që të mos ndodhte asgjë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë të ditur se SHBA-ja po dërgon një numër të madh forcash ushtarake drejt Iranit, duke theksuar megjithatë se synimi i tij është shmangia e një përshkallëzimi në konflikt të hapur. Deklarata u dha gjatë një bisede me gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One,…
Bota
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë të ditur se SHBA-ja po dërgon një numër të madh forcash ushtarake drejt Iranit, duke theksuar megjithatë se synimi i tij është shmangia e një përshkallëzimi në konflikt të hapur.
Deklarata u dha gjatë një bisede me gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One, teksa Trump po kthehej nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos, transmeton lajmi.net.
Ai konfirmoi se disa kapacitete të rëndësishme ushtarake tashmë janë dislokuar në Lindjen e Mesme, përfshirë një grup luftarak të udhëhequr nga një aeroplanmbajtëse, si dhe anije të tjera luftarake, sipas raportimit të Reuters.
“Kemi shumë anije që po lëvizin në atë drejtim, thjesht për çdo eventualitet. Një flotë e madhe është nisur drejt Iranit dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Trump.
Presidenti amerikan nënvizoi se lufta nuk është opsioni i tij i preferuar, duke shtuar se shpreson që situata të mos përshkallëzohet. “Do të doja që të mos ndodhte asgjë, por ne po e monitorojmë situatën nga afër”, tha ai.
Sipas Trump, dërgimi i forcave ka karakter paralajmërues dhe synon të tregojë forcë, por përdorimi i ushtrisë mbetet një zgjidhje e fundit, vetëm në rast se rrethanat e bëjnë të pashmangshme.
Në javët e fundit, Trump kishte paralajmëruar ndërhyrje ndaj Iranit për shkak të vrasjeve të protestuesve, por me rënien e intensitetit të protestave, edhe qëndrimi i tij publik ndaj Teheranit duket se është zbutur./lajmi.net/