Trump: Izraeli pranon tërheqjen fillestare të trupave – armëpushimi hyn në fuqi sapo Hamasi të konfirmojë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se Izraeli ka pranuar “vijën fillestare të tërheqjes” së trupave nga Gaza, si pjesë e planit amerikan për paqe me 20 pika. Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi se sapo Hamasi të japë konfirmimin e tij, armëpushimi do të hyjë menjëherë…

Bota

04/10/2025 22:25

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se Izraeli ka pranuar “vijën fillestare të tërheqjes” së trupave nga Gaza, si pjesë e planit amerikan për paqe me 20 pika.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi se sapo Hamasi të japë konfirmimin e tij, armëpushimi do të hyjë menjëherë në fuqi, transmeton lajmi.net.

“Shkëmbimi i pengjeve dhe të burgosurve do të nisë, dhe do të krijojmë kushtet për fazën e ardhshme të tërheqjes,” theksoi ai.

Nëse zbatohen kufijtë e treguar në hartën e publikuar nga Shtëpia e Bardhë, tërheqja e parë e ushtrisë izraelite do të linte rreth 55% të territorit të Gazës ende të pushtuar, sipas vlerësimeve të BBC Verify.

Ndërkohë, ekipet negociatore nga Izraeli dhe Hamasi po përgatiten për raundin e ardhshëm të bisedimeve indirekte që do të zhvillohen në Egjipt. Këto negociata pritet të jenë kyçe për zbatimin e fazave të tjera të planit të paqes./lajmi.net/