Trump: Do ta fitoja Nobelin nëse do të ndahej në mënyrë të drejtë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump thotë se ai e meriton çmimin Nobel për një varg çështjesh, mirëpo nuk e ka fituar atë, sepse çmimi nuk është ndarë në mënyrë të drejtë.

Bota

24/09/2019 18:44

“Unë mendoj se do të merrja një çmim Nobel për shumë gjëra, nëse ata do ta jepnin atë me të drejtë, gjë që ata nuk e bëjnë”, tha Trump, më 23 shtator, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Komenti i Trumpit erdhi si përgjigje e një vërejtjeje nga një gazetar, se Trump do të meritonte një çmim Nobel nëse ai mund të zgjidhë mosmarrëveshjen midis Indisë dhe Pakistanit mbi rajonin e ndarë të Kashmirit.

Kashmiri pretendohet nga India dhe Pakistani, që kur këto vende e fituan pavarësinë nga Britania e Madhe në 1947.

Presidenti amerikan ka ofruar të ndërmjetësojë mosmarrëveshjen, e cila ka çuar në dy luftëra midis rivalëve rajonalë.

Paraardhësi i Trumpi, ish presidenti amerikan, Barack Obama, e kishte fituar çmimin Nobel.

Trump tha se Obama e mori çmimin aq herët në presidencën e tij sa që “ai nuk e kishte idenë pse e mori atë”.

“Kjo ishte e vetmja gjë për të cilën u pajtova me të”, tha Trump./ REL