Tri njohjet e fundit, nga Afrika në Lindjen e Mesme

Njohja e Kosovës nga Siria është e treta këtë vit, pas njohjeve nga dy shtete afrikane, Sudani dhe Kenia, në muajt mars dhe prill. Me këtë njohje, Siria bëhet shteti i 120-të që e njeh pavarësinë e Kosovës. Lajmin e bëri të ditur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila theksoi se njohja u arrit…

Lajme

29/10/2025 23:57

Njohja e Kosovës nga Siria është e treta këtë vit, pas njohjeve nga dy shtete afrikane, Sudani dhe Kenia, në muajt mars dhe prill.

Me këtë njohje, Siria bëhet shteti i 120-të që e njeh pavarësinë e Kosovës.

Lajmin e bëri të ditur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila theksoi se njohja u arrit gjatë një takimi trilateral mes Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud dhe presidentit të Sirisë, Ahmed al-Sharaa.

Dy njohjet tjera këtë vit

Sudani, një vend në verilindje të Afrikës, njohu pavarësinë e Kosovës më 12 prill 2025, ndërsa presidentja Osmani njoftoi se dy vendet do të krijojnë marrëdhënie diplomatike.

Po ashtu, Kenia e njohu pavarësinë e Kosovës më 26 mars, 2025, duke u bërë shteti i 118-të. Ishte ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ai që e dha lajmin, para se presidentja Osmani ta konfirmonte zyrtarisht njohjen nga homologu i saj kenian, William Ruto.

Cili shtet njohu Kosovën i fundit, para njohjeve të sivjetme?

Në vitin 2021, shteti i fundit që e njohu Kosovën ishte Izraeli, pas një marrëveshjeje të nënshkruar në Washington për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.

Para këtij zhvillimi, Kosova u njoh nga shtete si Barbadosi më 15 shkurt 2018, Madagaskari më 24 nëntor 2017 dhe Bangladeshi më 27 shkurt 2017.

Njohje të tjera të rëndësishme për Kosovën janë bërë nga Singapori dhe Republika e Surinamit në vitin 2016, si dhe nga Niue, Cook Islands dhe shtetet e Karaibeve një vit më herët, pra në vitin 2015.

Në vitin 2014, Kosova mori katër njohje, kurse 8 i siguroi më 2013.

Shteti më i ri në Evropë siguroi nga 12 njohje në dy vitet paraprake, 2012 dhe 2011.

Ndërkohë, më 2010, Kosova u njoh nga tetë shtete, kurse më 2009, nga gjithsejtë 11 sosh.

E viti i shpalljes së pavarësisë do të mbetet ndër vitet që mëvetësinë e Kosovës e njohën më së shumti shtete – gjithsejtë 53.

Shtetet që nuk e njohin Kosovën

Pavarësisht këtyre njohjeve, Kosova vazhdon të përballet me sfida, sidomos me faktin se janë disa shtete në Bashkimin Evropian që po refuzojnë t’i bashkohen këtij 120-shit.

Shtetet si Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Qipro ende nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Përveç shteteve të BE-së, Kosova nuk është e njohur nga një numër të konsiderueshëm vendesh të mëdha, përfshirë Kinën, Indinë, Rusinë, e shtete tjera që janë nën ndikimin e tyre, si Azerbajxhani, Bjellorusia, Gjeorgjia, Moldavia, pastaj Argjentina, Vietnami, Venezuela, Uruguai, Korea e Veriut, Angola, Maroku, Ekuadori, e të tjera.

Nga pala serbe, pretendohet se disa shtete edhe kanë tërhequr njohjet e tyre të pavarësisë së Kosovës, por që në raste të caktuara, pretendimet e tyre janë demantuar.

Deri tani, Serbia pretendon se 13 shtete kanë hequr njohjen e Kosovës, përfshirë Sao Tome dhe Principe, Suriname, Guineja Bisao, Burundi, Liberia, Papua Guinea, Lesoto, Dominika, Grenada, Komorat, Ishujt Solomon, Madagaskari dhe Palau.