Tri komuna në bllokadë buxhetore për shkak të moskonstituimit të Kuvendit
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka ngritur shqetësimin për sfidat me të cilat po përballen komunat, si pasojë e vonesave në miratimin e ligjeve dhe mungesës së konstituimit të Kuvendeve Komunale. Sipas tij, demokracia lokale po ndikohet negativisht nga këto vonesa, veçanërisht në aspektin financiar dhe zhvillimin e projekteve kapitale.…

Lajme
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka ngritur shqetësimin për sfidat me të cilat po përballen komunat, si pasojë e vonesave në miratimin e ligjeve dhe mungesës së konstituimit të Kuvendeve Komunale.
Sipas tij, demokracia lokale po ndikohet negativisht nga këto vonesa, veçanërisht në aspektin financiar dhe zhvillimin e projekteve kapitale.
“Kemi të bëjmë me fonde dhe disa ligje që duhet të miratohen, në mënyrë që demokracia lokale të zhvillohet edhe më tutje,” deklaroi Ibrahimi. Ai shtoi se tre komuna – Prishtina, Gjilani dhe Zubin Potoku – kanë miratuar buxhetet komunale me vonesë, por ende nuk mund t’i zbatojnë ato pa konstituimin e Kuvendit.
“Nëse Kuvendi nuk konstituohet, atëherë këto komuna nuk mund të zbatojnë projekte të reja në investime kapitale,” paralajmëroi drejtori i AKK-së.
Ndër sfidat kryesore me të cilat po përballen komunat, Ibrahimi përmendi edhe barrën financiare të krijuar nga kontratat kolektive dhe vendimet gjyqësore, që, sipas tij, po rëndojnë buxhetet lokale.
“Sa i përket legjitimitetit të pushtetit lokal, ai nuk mund të kontestohet në asnjë mënyrë, por vështirësitë dhe sfidat janë të shumta. Vetëm gjatë katër muajve të parë të këtij viti, komunave, për shkak të vendimeve gjyqësore, u janë marrë mbi 43 milionë euro,” tha ai për gazetën blic.