Tri ekstradime dhe një transferim, kthehen në Kosovë të kërkuarit nga disa shtete
Policia e Kosovës ka njoftuar se përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe në koordinim me institucionet e drejtësisë, janë realizuar me sukses tri ekstradime dhe një transferim i personave të dënuar apo të kërkuar drejt Kosovës. Sipas njoftimit, më 16 mars 2026 është realizuar transferimi nga Italia në Kosovë i shtetasit S.S., i dënuar…
Lajme
Policia e Kosovës ka njoftuar se përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe në koordinim me institucionet e drejtësisë, janë realizuar me sukses tri ekstradime dhe një transferim i personave të dënuar apo të kërkuar drejt Kosovës.
Sipas njoftimit, më 16 mars 2026 është realizuar transferimi nga Italia në Kosovë i shtetasit S.S., i dënuar për vepra të rënda penale në fushën e narkotikëve. Pas transferimit, ai i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit prej 16 vjet e 4 muaj burgim, transmeton kp.
Ndërkohë, më 18 mars 2026 janë realizuar dy ekstradime. Nga Shqipëria është ekstraduar shtetasi L.V., i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar për veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, pasi kishte shmangur drejtësinë. Po atë ditë, nga Gjermania është ekstraduar shtetasi F.G., i kërkuar për veprën penale “Grabitja” dhe i dënuar me një vit burgim.
Më 19 mars 2026, një tjetër ekstradim është realizuar nga Gjermania, ku është sjellë në Kosovë shtetasi F.A., i kërkuar për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Pas kthimit, ai i është dorëzuar njësive përkatëse policore për procedim të mëtejshëm.