Tramp – Clinton, ngushtohet diferenca në anketa
Në SHBA, kandidati republikan për president, Donald Tramp shprehu mbështetje, ndonëse me vonesë, për ligjvënësit kryesorë republikanë të vendit, pas sondazheve të cilat tregojnë se ai ka mbetur prapa kandidates demokrate, Hillari Klinton.

Bota
Sondazhi më i ri i opinionit tregon se epërsia e zonjës Klinton ndaj rivalit Tramp është ngushtuar në më pak se tre për qind, nga tetë përqind që ishte të hënën e kaluar. Megjithatë anketa të tjera ditët e fundit kanë treguar se zonja Klinton është përpara, me 48 kundrejt 33 për qind, gjë që i ka bërë disa anketues të arrijnë në përfundimin se fushata e zotit Tramp duket të jetë në rrezik.
Zoti Tramp mbështeti kandidaturën për rizgjedhje të kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan si dhe të senatorëve John McCain dhe Kelly Ayotte. Vendimi erdhi vetëm disa ditë pas komenteve të bëra prej tij se ai nuk ishte ende gati për të mbështetur zotin Ryan, një nga republikanët kryesorë të zgjedhur në një post publik.
Që nga kuvendi republikan, tensionet e zotit Tramp me krerët më të lartë republikanë dhe grindja e tij e vazhdueshme me prindërit e një ushtari të vrarë mysliman amerikan janë parë si të dëmshme për mbështetjen e tij publike.
Të shtunën, zoti Tramp e drejtoi përsëri vëmendjen tek rivalja Hillari Klinton, duke e kritikuar atë për serverin privat të e-mailit që përdorte kur ishte sekretare e Shtetit, gjë që ishte në qendër të një hetimi të FBI-së.