Trajtimet e fytyrës duhen para apo pas dushit? Ja çfarë duhet të bëni për efektin më të mirë
Nëse i aplikoni maskat menjëherë pasi keni dalë nga dushi, lëkura juaj do t’i thithë të gjithë vlerat dhe mineralet e saj menjëherë.
Lifestyle
Trajtimet e fytyrës janë gjithnjë të nevojshme për të pasur një lëkurë sa më të butë dhe të re. Më të mirat ndër to janë sigurisht trajtimet natyrale, të përgatitura në shtëpi me baze frutash, perimesh apo vajrash bimorë, shkruan IconStyle.
Përveçse e bëjnë fytyrën të ndihet më e rigjeneruar, maskat kanë veti purifikuese dhe pastruese të thellë për poret, transmeton lajmi.net.
Para apo pas dushit
Që fytyra duhet të jetë e pastër para se ta trajtoni atë me produkte apo maska të ndryshme kjo është e padiskutueshme. Gjithsesi ekziston gjithnjë dilema nëse ato duhen aplikuar para apo pas dushit.
Sipas ekspertëve të lëkurës periudha më e mirë është pas dushit dhe ka disa arsye për këtë. Gjatë kohës kur ju laheni me ujë të ngrohtë, poret e lëkurës tuaj hapen dhe pastrohen tërësisht nga avulli.
Nëse i aplikoni maskat menjëherë pasi keni dalë nga dushi, lëkura juaj do t’i thithë të gjithë vlerat dhe mineralet e saj menjëherë.
Si ta aplikoni për pastrim sa më të mirë
Pasi të dilni nga dushi, thajeni fytyrën tuaj me kujdes dhe përgatiteni atë për të vendosur maskën tuaj të preferuar. Sipas dëshirës mund të përdorni ndonjë pastë pastruese të thjeshtë për të larguar tërësisht papastërtitë e fytyrës.
Këtë mund ta bëni duke përzier dy lugë sheqer me një lugë vaj ulliri.
Pasi të jetë formuar një pastë me kokrriza, fërkojeni lehtë me gishta në fytyrë. Këtë proces kujdesuni ta bëni ngadalë në mënyrë që të mos e dëmtoni lëkurën delikate të fytyrës.
Më pas vendosni me kujdes maskën e përzgjedhur, duke evituar pjesën poshtë syve dhe sipër buzës. Ky hap këshillohet, pasi duke qenë dy pjesë lëkure shumë delikate mund të krijojnë alergji të ndryshme.
Për të mbajtur gjithnjë një lëkurë sa më të shkëlqyeshme, të shëndetshme dhe plot rini aplikoni të paktën një apo dy herë në javë maska fytyre. /Lajmi.net/