Trajnerja e parë femër në futbollin skocez

Shelley Kerr është bërë femra e parë menaxhere në histori të futbollit skocez, pasi e mori në dorë ekipin e meshkujve, Stirling University FC.

Sport

21/08/2014 00:32

Shelley Kerr ka hyrë në histori të futbollit skocez. Ajo është bërë femra e parë që do ta drejtojë një ekip të meshkujve.

44 vjeçarja do të studiojë për master në menaxhimin e sportit në universitet, ndërsa do ta drejtojë ekipin në Loëland League, niveli më i ulët i futbollit skocez.

Kerr, e cila e udhëhoqi me sukses Arsenalin për 16 muaj, para se të largohej në qershor, do ta ketë mundësinë që ta ngritë në një ligë më lartë ekipin e saj, nëse ata e mposhtin ekipin fitues të Highland League në play-off.

Kerr ka zhvilluar 59 ndeshje me Skocinë në karrierën e saj si futbolliste, ndërsa e mori në dorë si trajnere fillimisht ekipin Hibs, për të vazhduar më pas me Arsenalin.

“Mendoj se për femrën është paksa më e vështirë sesa për mashkullin. Mirëpo, e shoh veten si trajnere futbolli, s’ka asgjë të bëjë me meshkuj ose femra, pak ka rëndësi”, deklaroi Kerr për BBC Scotland.

“Kjo nuk më brengos mua. Fokusi kryesor do të jetë tek ekipi. Gjithmonë do të kem aspirata të punës në lojën e meshkujve dhe deri tash, duket se kjo më përshtatet mjaft mirë”, përfundoi ajo.

Në fakt, femra e parë që e theu akullin në futbollin evropian ishte Helena Costa, e cila u bë femra e parë në histori që arrin ta drejtojë një ekip nga njëri nga dy divizionet e para në futbollin evropian. Në fakt, ajo e kishte marrë në dorë ekipin nga Ligue 2, Lorient.

Fatkeqësisht, ajo ishte larguar para se të fillonte sezoni, por ishte zëvendësuar nga ish kapitenia e përfaqësueses franceze, Corinne Diacre.