Tiranë: Ekspertiza mjekoligjore zbulon shkakun e vdekjes së suedezit

Politrauma ka qenë shkaku i vdekjes së suedezit Jim Backlund.

Lajme

13/03/2016 14:02

Lajmi konfirmohet nga ekspertiza e Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili bën me dije se 40-vjeçari me banim në Tiranë ka pësuar një politraumë nga katër dëmtime.

Ai u hodh nga kati i tretë i pallatit duke pësuar dëmtime të rënda nga përplasja në tokë, dëmtime të cilat i shkaktuan hemorragji dhe më pas vdekjen.

Suedezi, i cili ishte menaxher i “Regency Casino”, një prej kazinove më të mëdha në Shqipëri, u gjet i vdekur dy ditë më parë në rrugën “Haxhi Kika”.

Para se të ndahej nga jeta ai kishte shkruar një postim në “Facebook” ku thoshte se: “Heshtja, si një kancer rritet”. Ndërkohë bashkëshortja e tij, Pranvera Backlund, pas ngjarjes tragjike shprehej në rrjetin social: “I lutem Allahut të të marrë në parajsë në një botë më të mire sesa e ndyra që është këtu. Të lutem përkujdesu për ne”./shekulli