Tirana dhe Prishtina të rrisin presionin ndaj Serbisë, në mbrojtje të Luginës

Kryetarja e re e Kuvendit komunal të Preshevës, Ardita Sinani në emisionin ka deklaruar se elita e re politike në Luginë pret që Prishtina dhe Tirana zyrtare të bëjnë më tepër presion tek qeveria e Serbisë, në mbrojtje të interesave të Luginës.

Lajme

04/06/2016 12:29

Sinani ka thënë se pozita e shqiptarëve të Luginës nuk është aq e kënaqshme dhe se shtetet tona duhet të bëjnë presion tek Beogradi për këtë çështje. Sinani ka kërkuar nga Prishtina dhe Tirana, t’i kujtojnë Serbisë kapituj 23 dhe 24.

“Pozita e shqiptarëve nuk është aq e kënaqshme në Luginë. Ne kërkojmë nga Prishtina dhe Tirana zyrtare që të bëjnë presion tek qeveria e Serbisë që shqiptarët e luginës së Preshevës të trajtohen më mirë. Qasja e qeverisë së Serbisë të ndryshojë për luginën. Serbisë t’i kujtohet se duhet të punojë në kapitujt 23 dhe 24. Jam e sigurt se qeveria serbe duhet të jetë e gatshme që shqiptarët ti trajtojë më mirë”, tha ajo për Radio Dukagjinin.

Duke folur për Radio Dukagjinin, kryetarja e Kuvendit të Preshevës, Ardita Sinani, rreth kësaj teme ka konfirmuar se ende nuk ka ndodhur ndonjë ftesë e qeverive të Kosovës ose Shqipërisë për përfaqësuesit e rinj të Luginës.

Komunikimi sipas saj  po ndodhë vetëm përmes medias.

“Ende nuk kemi kontakte zyrtare me Prishtinën dhe Tiranën. Përmes mediave kemi përcjellë interesin tonë dhe po shpresojë që edhe Prishtina edhe Tiranajanë të gatshme që mesazhet tona ti përcjellin, ti dëgjojnë dhe ti dërgojnë aty ku ne mendojë se duhet.”, është shprehur Sinani.

Ajo ka folur edhe për zbrazjen e Luginës nga shqiptarët, ku si shqetësim kyç për këtë dukuri ka thënë të jenë faktorët, si sundimi i ligjit,papunësia e madhe dhe mungesa e zhvillimit ekonomik.