Thika, armë dhe flamuj të ISIS- kush është Sajmir Alimehmeti i dënuar në SHBA e që Prokuroria e Tiranës po kërkon konfiskimin e pasurisë së tij

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar konfiskimin e pasurisë së familjarëve të Sajmir Alimehmetit, i cili është dënuar me 22 vite burg në SHBA për pjesëmarrje në akte terrorizmi. Alimehmeti, ose i quajtur ndryshe “bombë me sahat” kishte qenë nën vëzhgim të autoriteteve që nga viti 2014, kur iu refuzua hyrja në Britani në dy raste,…

Lajme

31/01/2026 16:23

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar konfiskimin e pasurisë së familjarëve të Sajmir Alimehmetit, i cili është dënuar me 22 vite burg në SHBA për pjesëmarrje në akte terrorizmi.

Alimehmeti, ose i quajtur ndryshe “bombë me sahat” kishte qenë nën vëzhgim të autoriteteve që nga viti 2014, kur iu refuzua hyrja në Britani në dy raste, pasi synonte të udhëtonte në Siri. Ai ka pranuar se ka dhuruar ndihmë për Shtetin Islamik të Sirisë dhe Irakut. Në shtëpinë e tij u gjetën flamuj të ISIS, video të grupit terrorist, si dhe materiale propagandistike.

Kush është Sajmir Alihmehmeti

I lindur në Shqipëri, ai jetonte në një lagje të njohur si geto e New Yorkut, ku punonte si ndihmës-hidrualik dhe përgatitej për të punuar në një zyrë funerale.

Që prej vitit 2014 ai ka treguar mbështeteje për ISIS, sipas autoriteteve amerikane.

Mirëpo, në maj 2016 u arrestua nga Ekipi i Posaçëm i Përbashkët kundër Terrorizmit në Bronx dhe u padit për ndihmë materiale ndaj ISIS-it. Sipas padisë, ai po koleksiononte thika të ndryshme luftimi që mund të përdoreshin në një sulm të mundshëm terrorist.

Ishte përpjekur të udhëtonte edhe vetë drejt Lindjes së Mesme për t’u bërë anëtar i ISIS-it por ishte penguar dy herë nga autoritetet britanike, në 2014.

Alimehmeti ishte i njohur edhe si Abdul Qawii, madje me të dhëna të falsifikuara, i riu nga Shqipëria kërkonte të merrte një pasaportë të re, që t’i bënte më të lehta lëvizjet e tij, pasi emri i vërtetë i tij rezultonte në sistem.

Sajmir Alimehmeti kishte tentuar gjithashtu të vinte në Shqipëri e më pas, së bashku me të vëllanë, të udhëtonin drejt Rakasë në Siri, por ky skenar nuk i ishte realizuar dot, pasi i vëllai ishte arrestuar.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, autoritetet i gjetën disa sende që lidheshin me kalifatin e vetëshpallur islamik, si thika të llojeve të ndryshme, maska, doreza dhe një foto e tij me flamurin e ISIS-it. Ndërsa në telefon iu gjetën disa regjistrime të Anëar Al-Awlaki, i cili u vra në vitin 2011.

Edhe në burg, pas arrestimit, Alimehmeti duket se ka vijuar punën e tij për ISIS-in duke përhapur propagandën e ISIS-it mes të burgosurve, në bashkëpunim me të dënuarin për vënien e një bombe në lagjen Chelsea, Ahmad Khan Rahimi.

Gjykatësi i Diktriktit Paul A. Engelmayer, i cili i shqiptoi dënimin me burg, ditën e premte, e quajti shqiptarin “një bombë me sahat”./TCH