Thaçin në Beograd do ta sigurojnë 4,000 policë

23:21 | 14 Prill 2015

Policia serbe nuk do ta ketë të lehtë çështjen e sigurisë gjatë vizitës së Thaçit në Beograd

Mediet serbe kanë botuar në ballina lajmin ekskluziv se zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi mund të vizitojë Beogradin në fund të prillit.

Pas vizitës zyrtare të homologut të tij Daçiq në Prishtinë, në konferencën e Ballkanit Perëndimor, burimet e gazetës raportojnë se BE po ndihmon organizimin e një vizite të mundshme të Thacit në Beograd, e para e tij ndonjëherë në kryeqytetin serb. Po ashtu, mësohet se kjo vizite tashmë i ka sjellë kokëçarje shtetit serb, i cili duhet të organizojë 4,000 policë për garantimin e sigurisë.

Thaçi mbetet fytyrë e urryer në opinion serb, por burimet njoftojnë se vizita e tij do të ndihmonte uljen e tensioneve midis Kosovës e Serbisë dhe do të ndihmonte dialogun.

Në anën tjetër, burimet pranë Thaçit konfirmojnë pjesëmarrjen në konferencë në Beograd, ku pritet të jenë edhe ministrat e jashtëm Poposki  (i Maqedonisë) dhe Daçiq, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë evropianë.