Thaçi thotë se Vushtrria do të votojë për Misionin e Ri

Hashim Thaçi tha sot para qytetarëve të Vushtrrisë se vetëm qeveria e tij i ka dhënë përparësi sektorit të bujqësisë. Duke prezantuar Misionin e Ri, Thaçi u shpreh i bindur se mbi 70 për qind e qytetarëve të Vushtrrisë do të votojnë për të.

Lajme

29/05/2014 21:17

Partia Demokratike e Kosovës vazhdoi fushatën e saj zgjedhore në qytetin e Vushtrrisë, ku kreu i kësaj partie, Hashim Thaçi, tha se Misioni i Ri do ta zhvillojë Kosovën dhe do të hapë vende të reja të punës.

Thaçi vuri theksin tek rëndësia që do të ketë gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës sektori i bujqësisë. Në kuadër të Misionit të Ri, PDK po krijon Fondin e Punësimit, nga i cili do të shkojnë 500 milionë euro për bujqësinë për të hapur 50 mijë vende të reja të punës në zonën rurale.

Sipas Thaçit, qeveria e tij ishte e vetmja qeveri në historinë e Kosovës që e ka marrë seriozisht bujqësinë, duke rritur vazhdimisht grantet dhe subvencionet, si dhe duke rritur prodhimin vendas dhe duke ulur papunësinë.

“Prodhimi i patateve në zonën e Vushtrrisë dhe në mbarë Kosovën përmbush dyfish nevojat konsumuese të vendit dhe është një dëshmi i potencialit që ka vendi ynë për të pasur një bujqësi konkurruese”, tha kreu i PDK-së.

Thaçi shprehu bindjen se në zgjedhjet e 8 qershorit mbi 70% e votuesve në komunën e Vushtrrisë kanë për të votuar për Misionin e Ri.