Thaçi-Koenders: Zhvillimi ekonomik, garanci për stabilitet në Ballkan

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar ministrin e Jashtëm të Holandës, Bert Koenders, me të cilin bisedoi për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon si dhe shqyrtuan mundësitë për thellim të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Lajme

17/04/2015 13:02

Kosova dhe Holanda kanë marrëdhënie shumë të mira bilaterale dhe nuk kanë çështje të hapura në mes tyre, u tha në takim.

Në një njoftim për media, të dërguar nga MPJ, thuhet se kryediplomati Thaçi, gjatë takimit u shpreh se Kosova, tani e konsoliduar brenda dhe së jashtmi, është kthyer në faktor të paqes dhe bashkëpunimit në rajon.

“I tërë rajoni është kthyer nga e ardhmja euro-atlantike, zhvillimi dhe bashkëpunimi. Në këto momente kthese për rajonin është shumë e rëndësishme që BE-ja të mbetet e përkushtuar ndaj së ardhmes evropiane të tërë rajonit”, u shpreh zëvendëskryeministri Thaçi.

Për stabilitet afatgjatë të rajonit kërkohet zhvillim i qëndrueshëm ekonomik dhe për këtë mbështetja e BE-së dhe e vendeve të saj, edhe përmes përvojës së tyre, janë shumë të rëndësishme për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, u tha në këtë takim.

Zëvendëskryeministri Thaçi po qëndron në Hagë të Holandës, ku po merr pjesë në konferencën për Sigurinë në Hapësirën Kibernetike.