Thaçi mirëpret hapjen e linjës së re ajrore nga Lufthansa

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka mirëpritur hapjen e linjës ajrore nga Lufthansa.

Lajme

20/01/2020 12:29

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mirëpritur nënshkrimin e letrës së qëllimit ndërmjet Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe kompanisë ajrore gjermane “Lufthansa”, për hapjen e linjës ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit.

Presidenti Thaçi ka thënë se kjo ngjarje shënon hapin e radhës në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi ka shprehur mirënjohjen për ambasadorin amerikan në Berlin, Richard Grenell dhe këshilltarin për siguri kombëtare të presidentit Trump, Robert O’Brien për kontributin në marrëveshjen e cila, sipas tij, pritet ta lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në të ardhmen.

“E mirëpres nënshkrimin e Letrës së Qëllimit ndërmjet kompanisë ajrore prestigjioze gjermane “Lufthansa” dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, e cila mundëson hapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd. Sigurisht që kjo ngjarje shënon një hap tjetër në përpjekjet tona për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, në emër të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve tanë, shpreh mirënjohjen e thellë për Ambasadorin e SHBA-së në Berlin, Richard Grenell, si dhe Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, Robert O’Brien, për kontributin e tyre për këtë marrëveshje, e cila pritet të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në të ardhmen”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook. /Lajmi.net/