Thaçi, i gatshëm të shkojë në Beograd

Zëvendëskryeministri i Parë i republikës së Kosovës, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka marrë një ftesë nga organizata joqeveritare Këshilli Rinor për Arsim që të jetë i pranishëm më 24 prill në Serbi, në një konferencë që mbahet në Beograd dhe ka të bëjë me integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Lajme

16/04/2015 08:04

Këshilltari politik i ministrit Thaçi, Ardian Arifaj, ka thënë se në parim shefi i diplomacisë së Kosovës i është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese.

Arifaj ka thënë se Thaçi është ndër liderët kryesorë në rajon që promovon paqen edhe bashkëpunimin mes popujve dhe shteteve.

“Në këtë frymë zëvendëskryministri Thaçi është i gatshëm të udhëtojë edhe në Beograd për të promovuar këtë frymë të bashkëpunimit”, është shprehur Arifaj.

Arifaj në intervistë për “Epokën e Re” ka thënë se Thaç është duke u shikuar si një nga liderët kryesor në rajon, kurse Kosova tani shihet si një promovuese e dialogut dhe bashkëpunimit mes shteteve.

“Këto vizita më nuk janë diçka e jashtëzakonshme, por një komunkim normal mes dy shteteve. Kjo kontribuon në relaksimin e marrëdhënieve mes dy popujve dhe mes dy vendeve dhe kthimin e shikimit kah e ardhmja dhe gjetja e formave të bashkëpunimit mes dy shteteve fqinje në frymën evropiane”, ka thënë ai.

Ardian Arifaj, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit Thaçi
Ardian Arifaj, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit Thaçi