Thaçi dhe Mustafa për zgjedhje në gjysmën e parë të vitit
Liderët e dy partive më të mëdha, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, janë pajtuar që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen në gjysmën e parë të këtij vit. Ata kanë rënë dakord edhe për përfundimin e reformës zgjedhore brenda muajit mars.
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/media/image/201401/full/isa-hashim.jpg)
Lajme
Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa janë pajtuar që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen në gjysmën e parë të këtij viti.
Në një takim të mbajtur mes Kryetarit të PDK’së dhe atij të LDK’së, ata u pajtuan edhe për përfundimin e reformës zgjedhore dhe për procedimin e saj për miratim në Kuvend, thuhet në një komunikatë të LDK’së.
“Sot, u takuan Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilët biseduan për reformën zgjedhore dhe për zgjedhjet e përgjithshme”.
“Të dy kryetarët u pajtuan për koordinimin e agjendës politike në muajt në vazhdim. Ata u pajtuan që reforma zgjedhore të përfundohet nga Komisoni Parlamentar dhe Qeveria brenda gjysmës së parë të muajit mars ta procedojë për miratim në Kuvend”.
“Po ashtu, u ra dakord që të bëhen të gjitha përgatitjet për zgjedhje të lira, demokratike dhe të mbikëqyrura nga vëzhgues ndërkombëtarë, për çfarë edhe do të bëhet kërkesë zyrtare në BE, OSBE etj”.
“Të dy kryetarët kërkojnë që përgatitjet e duhura të kryhen në koordinim me subjektet politike dhe me konsensus të Kuvendit të shkohet në Zgjedhje të përgjithshme në gjysmën e parë të këtij viti.”
“Në ditët në vijim, do të zhvillohen takime edhe me liderët e subjekteve të tjera politike”, thuhet në komunikatën e LDK’së.
Video: Pamjet nga Klan Kosova