Thaçi brenda pallatit mbretëror në Riad për ngushëllime

Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, po qëndron për ngushëllime në Riad, me rastin e vdekjes së mbretit saudit, Abdullah. 

Lajme

24/01/2015 17:22

Vdekja e Mbretit të ndjerë saudit Abdullah bin Abdulaziz është duke u shënuar me ceremoni ngushëllimi që ka përfshirë mbarë botën arabe dhe më gjerë. Shumë shtete të gjirit Persik si Bahraini, Jordani, por edhe Palestina kanë shpallur ditë zyrtare të zisë, ndërsa në kryeqytetin arab kanë arritur liderë të shumtë botërorë. 

Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden po i prinë delegacionit të SHBA’ve, kryeministri britanik David Cameron gjithashtu është i pranishëm, pastaj edhe Princi Charles po udhëheq delegacionin e lartë nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa pjesë e ceremonisë janë edhe ministrat e jashtëm të shumicës së shteteve evropiane. 

Në emër të Kosovës, në Riad po qëndron edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka takuar Mbretin Abdullah disa herë në takime bilaterale. 

Delegacioni i Kosovës, në këto moment, siç mëson KosovaPres, është pritur nga protokolli mbretëror dhe po bëhet gati për të shkuar për ngushëllime në pallatin e mbretit të Arabisë Saudite. 

Arabia Saudite është ndër shtetet e para arabe që ka njohur Kosovën dhe ka lobuar për njohje edhe në shtetet e tjera të Organizatës së Konferencës Islamike.