“Thaçi asgjë nuk bënte pa e pyetur Krasniqin, Limajn e Selimin”

Gazetari Nuhi Bytyçi, i cili kishte raportuar në luftën e fundit në Kosovë dhe kishte shumë kontakte gjatë luftës me krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë në Zona B të Klan Kosovës se brenda UÇK-së kishte shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim të ndërsjellë.

Lajme

14/03/2016 22:17

“Duhet të dihet se Hashim Thaçi asgjë nuk ka bërë pa e pyetur Jakup Krasnqin, po as pa e pyetur Fatmir Limën, Rexhep Selimin e të tjerët”, ka thënë Bytyqi.

“Bashkëpunimi ka qenë shumë korrekt. Lahi Ibrahimaj ka qenë mik i mirë me Rexhep Selimin, por edhe me Kadri Veselin po ashtu”.

Bytyqi ka treguar edhe një rast nga vizita e diplomatit Christopher Hill.

“Kur Christopher Hill ka ardhur në vizitë në Likoc në Shtab të Përgjithshëm nuk na është lënë të xhirojmë, duke dalë i kam thënë kameramanit ta marr një sekuencë. Kur e kem xhiruar Hill-in ai ka thënë që ajo pjesë të mos transmetohet, dhe pastaj Rexhep Selimi na mori kamerën, por na tha se ‘do ua kthejmë sa po të shkoj diplomati’. Ai ashtu bëri. Na ktheu kamerën dhe ne e kemi transmetuar atë sekuencë aq të rëndësishme për luftën”, ka treguar Bytyçi në Zona B.

“Gjithashtu, kam xhiruar edhe betimin e UÇK-së, njërin nga momentet e veçanta”.

Bytyçi ka folur edhe për veprimtarin Adem Demaçi.

“Ishte një guxim i madh i Adem Demaçit që midis Prishtinës të hap zyrë të UÇK-së dhe të takojë diplomatë të huaj”.

“Një libër me gjithë këto rrëfime do të dalë së shpejti”, ka pohuar Bytyçi.