“Territori fqinj s’ofron siguri”, arrestimet e kosovarëve në Serbi- zyrtari i Kosovës në Beograd del me 5 propozime

Fatmir Haxholli, sekretar i Zyrës së Kosovës në Serbi, ka dalë me 5 propozime pas arrestimeve, ndalimeve dhe burgosjeve të kosovarëve që po bëhen atje. Haxholli përmes një shkrimi në Facebook thotë se e ka parë të arsyeshme që këto propozime t’i bëjë edhe publike, pasi sic thotë, nuk duhet të shpresohet se Serbia do…

Lajme

03/07/2024 20:23

Fatmir Haxholli, sekretar i Zyrës së Kosovës në Serbi, ka dalë me 5 propozime pas arrestimeve, ndalimeve dhe burgosjeve të kosovarëve që po bëhen atje.

Haxholli përmes një shkrimi në Facebook thotë se e ka parë të arsyeshme që këto propozime t’i bëjë edhe publike, pasi sic thotë, nuk duhet të shpresohet se Serbia do të ndalet kundër qytetarëve të Kosovës.

Më poshtë mund t’i lexoni 5 propozimet e Haxhollit:

1. Të vlerësohet mundësia ligjore nga institucionet vendimarrëse, e ndalimit, qëndrimit dhe kalimit tranzit për disa kategori, sikurse janë pjesëtarët e policisë, forcës së sigurisë, veteranëve, përfaqësuesve të nivelit politik, dhe drejtuesëve të nivelit të mesëm dhe atyre të larë, dhe/apo të tjerë sipas nevojës. Përjashtim nga kjo do të mund të bënin pjesëmarrjet me ftesë apo aprovim paraprak në forume rajonale apo ndërkombëtare, ku ky vend është nikoqir, e ku niveli i garancioneve ndërkombëtare parandalon keqtrajtimin dhe ekspozimin. Një normë ligjore, ku theksi do të vihej në evitimin e ekspozimit dhe në sigurinë e informacionit/sekretitzyrtar, do të mund të ishte një nga kriteret e përmbajtjes së një akti ligjor në nivel vendi.

2. Të parashihet mundësia që në pikëkalimet kufitare të ketë Njoftime elektronike për qytetarët e Republikës së Kosovës, duke theksuar që dalja nga Republika e Kosovës në territorin fqinj nuk iu ofron atyre siguri të plotë/adekuate fizike dhe juridike.

3. Të vlerësohet nevoja për projektimin dhe mbarëvajtjen e fushatave të rregullta ndërgjegjësuese për audienca vendore dhe për diasporë, në mënyrë që të evitohen situata të ekspozimit të sigurisë së tyre dhe familjeve të tyre

4. Të shihet mundësia e ndërtimit të një partneriteti me operatorët ekonomik, në mënyrë që ata të inkurajohen për përdorimin e rrugëve tjera drejt vendeve evropiane, dhe anasjelltas, me qëllim evitimin e kalimit tranzit përmes Serbisë.

5. Për të gjitha pikat e lartëcekura, të ketë një praktikë të vlerësimit dhe nxjerrjës së konkluzioneve periodike, institucionale.

Konsideroj që ndërmarrja e veprimeve specifike në menaxhimin e ekspozimit të bashkëqytetarëve tanë dhe kategorive tjera institucionale, do të ishte në interes të degradimit të qasjes destruktive të projektuar dhe zbatuar nga ana e Serbisë përgjatë viteve.

Nga sa u tha, mbetëm në dispozicion që në kontekst të këtij propozimi, të përpiloj një dokument të elaboruar në detaje.