Protestat në Prishtinë | Ambasada Amerikane: Mund të nisin në mënyrë paqësore, por mund të përshkallëzohen shpejt dhe pa paralajmërim – jemi këshilluar të shmangim tubimet

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka lëshuar një njoftim për sigurinë, duke paralajmëruar për vazhdimin e demonstratave në kryeqytet. Sipas njoftimit, protestuesit po mblidhen në mënyrë të shpeshtë në sheshin “Skënderbeu” dhe në lokacione të tjera në qendër të Prishtinës, transmeton lajmi.net. Ambasada paralajmëron se demonstrata të reja mund të zhvillohen edhe në…

Lajme

18/09/2026 16:52

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka lëshuar një njoftim për sigurinë, duke paralajmëruar për vazhdimin e demonstratave në kryeqytet.

Sipas njoftimit, protestuesit po mblidhen në mënyrë të shpeshtë në sheshin “Skënderbeu” dhe në lokacione të tjera në qendër të Prishtinës, transmeton lajmi.net.

Ambasada paralajmëron se demonstrata të reja mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim, përfshirë potencialisht edhe qytete të tjera të Kosovës.

Në njoftim theksohet se tubimet mund të fillojnë paqësisht, por situata mund të përshkallëzohet shpejt dhe pa paralajmërim. Si pasojë, mund të ketë ndërprerje të qarkullimit, mbyllje të rrugëve dhe pengesa në ofrimin e disa shërbimeve.

Po ashtu, bëhet e ditur se gjatë demonstratave mund të ketë prani të shtuar të policisë, devijime të trafikut dhe kufizime në qarkullim, veçanërisht në orët para dhe gjatë tubimeve.

Ambasada amerikane u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat, të tregojnë kujdes pranë turmave të mëdha dhe të jenë të informuar përmes mediave lokale dhe kanaleve zyrtare.

Postimi i plotë: 

Njoftim për demonstrata – Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, Kosovë

Lokacioni: Prishtinë
Data/Koha: Në vazhdim

Ngjarja:
Demonstratat në Prishtinë po vazhdojnë, ndërsa pjesëmarrësit mblidhen shpesh në sheshin “Skënderbeu” dhe në zona të tjera në qendër të qytetit.

Demonstrata të tjera mund të zhvillohen gjatë ditëve në vijim, potencialisht edhe në qytete të tjera. Demonstratat dhe tubimet e mëdha mund të nisin në mënyrë paqësore, por mund të përshkallëzohen shpejt dhe pa paralajmërim, duke shkaktuar pengesa në komunikacion, ndërprerje të shërbimeve dhe, në disa raste, mbyllje të rrugëve.

Personeli i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë është këshilluar që të shmangë demonstratat dhe tubimet e mëdha. Pritet prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh, devijime dhe pengesa në trafik në orët para dhe gjatë demonstratave.

Nëse ndodheni në një qytet ku zhvillohet një demonstratë, qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë personale në plan të parë. Ndiqni mediat lokale dhe uebfaqen e Ambasadës për informacionet më të fundit.

Veprimet e rekomanduara:

    • Shmangni zonat ku zhvillohen demonstratat.

    • Tregoni kujdes nëse ndodheni papritur pranë tubimeve të mëdha ose demonstratave.

    • Jini të vëmendshëm ndaj rrethit përreth dhe ndiqni mediat lokale për përditësime./lajmi.net/