Gjykata Kushtetuese anulon aktgjykimin për kompensimin e pagave të ish-punëtorit të “Lavërtari-Blegtorisë”
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm në rastin KI201/25, të parashtruar nga Nezir Krasniqi. Gjykata e ka deklaruar kërkesën të pranueshme dhe ka konstatuar se është shkelur paragrafi 2 i nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës…
Lajme
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm në rastin KI201/25, të parashtruar nga Nezir Krasniqi.
Gjykata e ka deklaruar kërkesën të pranueshme dhe ka konstatuar se është shkelur paragrafi 2 i nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Si rrjedhojë, ajo ka shpallur të pavlefshëm aktgjykimin e 12 qershorit 2025 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme dhe e ka kthyer çështjen për rishqyrtim.
Rasti lidhet me kërkesat e Krasniqit për kompensim për ndërprerjen e parakohshme të marrëdhënies së punës, në vlerë prej 1,228.92 euro, si dhe për paga të papaguara për periudhën 2004–2013, në shumën prej 12,634.38 euro, nga NSH “Lavërtari-Blegtori”.
Pas refuzimit të kërkesave nga Autoriteti i Likuidimit i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Krasniqi iu drejtua Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme. Pas procedurave gjyqësore dhe ankesave, Kolegji i Apelit kishte vendosur që të refuzonte në tërësi kërkesën për kompensimin e pagave në shumën prej 12,634.38 euro.
Në kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese, Krasniqi kishte pretenduar, ndër të tjera, shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, mungesë të seancës dëgjimore, zbatim arbitrar të ligjit dhe mungesë të konsistencës në vendimmarrjen gjyqësore.
Në aktgjykimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se çështja nuk kishte të bënte vetëm me çështje “ekskluzivisht ligjore” apo me çështje të “natyrës së lartë teknike”. Sipas saj, në rastin konkret kishte edhe çështje të rëndësishme faktike dhe ligjore, përfshirë vlerësimin e provave lidhur me listën e pagave dhe rrethanat e kërkesës për kompensim.
Për këtë arsye, Gjykata ka konstatuar se Krasniqit i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të mosmbajtjes së seancës dëgjimore, qoftë në shkallën e parë, qoftë në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se konstatimi i saj lidhet ekskluzivisht me aspektin procedural, përkatësisht me të drejtën për një seancë dëgjimore, dhe se ky vendim nuk paragjykon rezultatin e çështjes në meritat e saj para gjykatave të rregullta.