Termokos gati të nisë furnizimin me ngrohje për QKUK-në, testimet në fazën përfundimtare
Ndërmarrja Publike “Termokos” SH.A. ka njoftuar se ka përfunduar përgatitjet për fillimin e furnizimit me ngrohje për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas përkeqësimit të motit dhe rënies së temperaturave. Sipas njoftimit, aktualisht janë duke u kryer testimet përfundimtare të rrjetit dhe të gjithë sistemit të ngrohjes së ngrohtores së QKUK-së, e cila shërben…

Lajme
Ndërmarrja Publike “Termokos” SH.A. ka njoftuar se ka përfunduar përgatitjet për fillimin e furnizimit me ngrohje për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas përkeqësimit të motit dhe rënies së temperaturave.
Sipas njoftimit, aktualisht janë duke u kryer testimet përfundimtare të rrjetit dhe të gjithë sistemit të ngrohjes së ngrohtores së QKUK-së, e cila shërben për ngrohjen e klinikave brenda kësaj qendre shëndetësore, transmeton lajmi.net.
“Në rast se kushtet klimatike mbeten të njëjta, ditëve të ardhshme do të fillojë furnizimi i jashtëzakonshëm me ngrohje për gjithë konsumatorët tanë,” thuhet në komunikatën zyrtare të Termokos-it.
Ndërmarrja bën të ditur se po e ndjek me kujdes situatën meteorologjike dhe është në koordinim të ngushtë me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), për të siguruar një nisje të sigurt dhe të qëndrueshme të sezonit të ngrohjes.
“Jemi në gatishmëri të plotë për të përmbushur misionin tonë,” theksohet më tej në njoftim.
Furnizimi i QKUK-së me ngrohje, për shkak të natyrës së veçantë të shërbimeve që ofron kjo qendër mjekësore, shpesh nis më herët se për konsumatorët tjerë në qytet. Sipas Termokos, edhe furnizimi më i gjerë për qytetarët e Prishtinës do të nisë së shpejti, nëse temperaturat vazhdojnë të bien./lajmi.net/