Teprica e qumështit të gjiri gati i merr jetën foshnjes së sapolindur

Neve, nënat përjetojmë shumë dhimbje gjatë lindjes e më pas tregohemi shumë të kujdesshme për të mos dëmtuar krijesat tona të vockla e të dashura.

Lifestyle

26/01/2019 11:32

Por për fat të keq, ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç i kemi ëndërruar, pikërisht atëherë kur më së paku i presim. Një ndër këto është mbi-aktiviteti i gjëndrave të laktacionit, ose në terma të thjeshtë, mbiprodhimi i qumështit të gjirit. Rrjedhja e qumështit është një problem i zakonshëm në gji, por shumë nëna e konsiderojnë këtë si një “gjë të mirë”, pasi për ato “më shumë qumësht” do të thotë më shumë ushqim për fëmijët.

Mirëpo pasojat e mbiprodhimit të qumështit mund të jenë të rrezikshme. Një incident i tillë u bë viral kohët e fundit në mediat sociale pasi tregonte për një nënë të trembur, kur kuptoi se foshnja e saj për pak u mbyt nga qumështi i nënës.
Rebeka Taylor, nëna në fjalë, thotë se ishte ‘dita më e frikshme’ e jetës së saj, kur ajo thirri ambulancën, pasi pa të voglin e saj që nuk po merrte dot frymë dhe pothuajse po jepte shpirt.

Kur fëmija filloi të kthehej në ngjyrë blu, Rebeka u tmerrua se më e keqja mund të ndodhte. Ishte shkatërrimtare për nënën e re të shihte të voglin e saj me maskë dhe tuba oksigjeni. Fatmirësisht, fëmija shpëtoi më vonë dhe nuk ndodhi asnjë fatkeqësi.

Megjithatë, është e rëndësishme të informohemi dhe të dimë më shumë për këtë çështje dhe të ndërmarrim hapa të duhur për të ndërgjegjësuar nënat mbi mbytjen nga qumështi i gjirit, transmeton pernenat.al.

Mbiprodhimi i qumështit është një problem hormonal ku hormoni oksitocin prodhohet më shpejt krahasuar me hormonin prolaktin dhe rezulton në rrjedhje më të tepërt dhe më të shpejtë të qumështit të gjirit.
Por çfarë duhet të bëni nëse përballeni me një problem të tillë?

Sipas ekspertëve të ushqyerjes me gji, nga organizata La Leche League ka disa hapa që mund të ndiqni për t’u siguruar që fëmija juaj të ushqehet në mënyrën e duhur edhe nëse ju keni mbiprodhim qumështi.

1.Sinjalizoni gjinjtë tuaj që të mos prodhojnë më qumësht

Kur ushqeni të vegjlit në njërin gjoks, vendoseni pëllëmbën në gjoksin tjetër dhe shtypini thithat brenda, në drejtim të brinjëve për disa sekonda. Përsëriteni këtë proces disa herë në mënyrë që forca mbi gji të sinjalizojë trupin për të mos prodhuar qumësht shtesë.

2.Ushqejeni fëmijën vetëm nga njëri gji
Në kohën që fillon të pijë fëmija, qumështi i cili është në fillim të gjoksit është ai i ngeluri nga hera e kaluar dhe kjo i shkakton bebes gazra në stomak dhe përzierje. Nivelet e ushqyerjes në këtë rast nuk janë ato optimalet. Në këtë rast ju duhet t’i jepni fëmijës jo nga qumështi që rrjedh në fillim, por nga ai që vjen më pas pasi është më i shëndetshëm.
Për ta bërë këtë, vendoseni foshnjën tuaj në gji. Kur qumështi të jetë gati për të dalë jashtë, hiqeni fëmijën dhe lëreni qumështin të derdhet në një peshqir apo pecetë. Pas kësaj kapni foshnjën dhe vazhdoni ta ushqeni. Përdorni këtë gji edhe në vaktet e mëvonshme deri sa të kullojë të gjithë qumështin.

3.Kontrolloni se si foshnja lidhet me gjirin

Ndonjëherë nëse foshnja nuk është lidhur siç duhet me gjoksin, qumështi që mund të grumbullohet në gojën e tij dhe t’i shkaktojë mbytje. Do të ishte më mirë të kontrolloni nëse buzët e bebit janë puthitur siç duhet dhe thitha është vendosur siç duhet brenda gojës së tij. Në rastin ideal qumështi do të rrjedhë drejt në fyt dhe foshnja do të menaxhojë rrjedhjen e tij.

4.Pozicioni i ndalimit
Një pozicion i ulur drejt është më i mirë për fëmijën që të arrijë të kontrollojë gravitetin e rrjedhjes së qumështit. Fëmija duhet të jetë i vendosur në mënyrë të tillë që nëna të mund ta ngrejë sapo të ketë rrjedhje të qumështit.

5.Merrni ndihmën e ekspertëve.
Nëse keni hasur në probleme të vazhdueshme në lidhje me ushqyerjen e foshnjës ose mënyrën e qëndrimit të tij/saj, mos kini frikë të merrni ndihmë. Konsulentët e ushqimit mund të bëjnë një vëzhgim të gjendjes suaj dhe t’u ofrojnë ndihmë.

Problemet e ushqyerjes me gji janë të zakonshme, sikurse janë edhe zgjidhjet. Pra, qëndroni të informuara për modelin e ushqyerjes së foshnjës tuaj dhe nëse keni eksperiencë të vështirë, mos harroni të ndërmerrni hapat e nevojshme për të shmangur ndërlikimet.