Tensionim i madh në raportet Vietnam – Kinë, mbi 20 të vrarë

Mijëra vietnamezë të martën dhe të mërkurën kanë djegur fabrika të huaja në vendin e tyre, si reagim i ashpër ndaj eksploatimit të naftës në pjesën jugore të Detit Kinez, pjesë kjo në të cil[ën pretendon Vietnami. Në trazira janë vrarë të paktën 20 persona.

 

Bota

15/05/2014 23:51

Sipas mjekëve në spitalin në provincën Ha Tinh aty janë sjell 5 punëtorë vietnamezë dhe 16 kinezë, kurse edhe qindra të tjerë janë pranuar me plagë të ndryshme.

Konflikti kryesor me më së shumti viktima ka shpërthyer në kompleksin metalurgjik në ndërtim që po ndërtohet nga një kompani kineze, por raportohet se protestat kundërkineze po zgjerohen nga jugu drejt pjesës qendrore të Viertnamit.

Kina shpreh shqetësim serioz për këto vepra dhe kërkon ndëshkime për kryesit e veprave të tilla.

Formosa Plastics Group, investitori më i madh tajvanez në Vietnam ka njoftuar se kompleksi metalurgjik i saj në ndërtim është djegur.

Ky kompleks, që konsiderohet se do të jetë më i madhi në Azi, është paraparë të përfundojë në 2020, kurse investimi do të kushtojë rreth 20 miliardë dollarë.

Qindra kinezë janë larguar nga Vietnami me rrugë ajrore, apo mënyra tjera të transportit për të kaluar në Kamboxhia.

Si transmeton agjencia Reuters, policia ka arrestuar rreth 600 njerëz për arsye të vjedhjeve dhe nxitjes së dhunës.

Trazirat dhe përleshjet filluan pasi Kina zhvendosi një platformë gjigante të naftës në pjesën detare që Vietnami e konsideron det të saj.

Protestuesit godisnin fabrika e stabilimente me germa kineze, ndonëse të gjitha ato nuk ishin kineze, por edhe tajvaneze.

Vetëm në provincën Binh Duong 460 kompani të ndryshme kanë raportuar në polici ndonjë lloj dëmi të shkaktuar nga trazirat.

SHBA-të kanë ftuar të dy shtetet që të përmbahen, duke sugjeruar që kontestet e tilla duhet të zgjidhen me dialog.