Teleferiku i Gërmisë drejt realizimit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar për rikthimin e teleferikut në Gërmia, duke e cilësuar këtë si një projekt që synon jo vetëm ringjalljen e një simboli të dikurshëm, por edhe krijimin e mundësive të reja për rekreacion dhe sport për qytetarët. Sipas tij, rikthimi i ski-liftit përfaqëson një ndjenjë nostalgjie për…

Lajme

07/04/2026 13:19

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar për rikthimin e teleferikut në Gërmia, duke e cilësuar këtë si një projekt që synon jo vetëm ringjalljen e një simboli të dikurshëm, por edhe krijimin e mundësive të reja për rekreacion dhe sport për qytetarët.

Sipas tij, rikthimi i ski-liftit përfaqëson një ndjenjë nostalgjie për shumë qytetarë, ndërsa për brezat e rinj do të sjellë një hapësirë të re për aktivitete sportive dhe rekreative. Ai theksoi se Gërmia ka qenë gjithmonë një nga zonat më të rëndësishme për qytetin, me potencial të madh për zhvillim.

Rama bëri të ditur se në një takim të zgjeruar me përfaqësues të komunitetit sportiv, organizatave rekreative dhe institucioneve relevante janë diskutuar hapat konkretë për realizimin e projektit, i cili tashmë po merr formë më të qartë zhvillimore.

Ai shtoi se, duke qenë se Gërmia është zonë e mbrojtur, çdo veprim do të ndërmerret në përputhje me standardet mjedisore dhe legjislacionin në fuqi, në koordinim të ngushtë me institucionet qendrore për të siguruar bazën e nevojshme ligjore dhe teknike.

Sipas Ramës, ky projekt pritet të sjellë një zhvillim të rëndësishëm për kryeqytetin në të ardhmen./kp