Të shtëna me kallashnikov në Prishtinë, Prokuroria dhe Policia me detaje se çfarë dihet deri më tani

Një ngjarje tejet e çuditshme dhe e rrezikshme ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Prishtinë. Rreth orës 23:55, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion për të shtëna me armë zjarri në rrugën “B dhe Muharem Fejza”, ku dyshohet se armët e përdorura ishin të tipit kallashnikov. Duke mos përfunduar me kaq, nga këto…

Lajme

13/05/2025 11:29

Një ngjarje tejet e çuditshme dhe e rrezikshme ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Prishtinë.

Rreth orës 23:55, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion për të shtëna me armë zjarri në rrugën “B dhe Muharem Fejza”, ku dyshohet se armët e përdorura ishin të tipit kallashnikov.

Duke mos përfunduar me kaq, nga këto të shtëna me armë zjarri dëme të mëdha kanë pësuar disa nga veturat të cilat ishin të parkuara në këtë anë.

E lidhur me këtë për lajmi.net janë deklaruar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe Policia e Kosovës.

Në lidhje me rastin nga Prokuroria u tha se deri më tani nuk ka persona të arrestuar dhe se janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

“Lidhur me pyetjet tuaja ju njoftojmë, se në rrugën ”B” është raportuar për të shtëna me armë zjarri. Njësitet relevante kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. Deri më tani nuk ka persona të arrestuar lidhur me rastin”, thuhet në përgjigje.

Teksa tutje theksuan se hetimet janë duke vazhduar me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të çështjes.

Kurse nga Policia e Kosovës thanë se deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, derisa dy vetura u dëmtuan e u gjetën dy lloje gëzhojash.

“Mbrëmë rreth orës 23:55 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ” Bardhyl Qaushi” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, të cilat kanë rezultuar me gjetjen e dy lloje gëzhojash. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërkaq dy vetura janë dëmtuar”,u tha në përgjigje.

Gjithashtu u theksua se Policia po punon në mënyrë aktive për të mbledhur më shumë informacion rreth identifikimit të të dyshuarve, dhe në të njëjtë kohë po vijon punën hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Banorët e lagjes në Prishtinë janë tmerruar nga kjo situatë e krijuar, pasi prania e këtyre personave të armatosur ka rritur edhe më tepër pasigurinë e tyre. Përpos dëmeve në makina disa plumba kishin arritur të depërtonin edhe nga xhamat e një terase deri tek pjesa e brendshme e banesës- duke rrezikuar kështu jetën e qytetarëve.

Kohët e fundit Kosova është bërë vatër e vrasjeve duke pasur parasysh krimet e shpeshta të cilat janë duke ndodhur. /Lajmi.net/