Të mos keqpërdoren bindjet fetare

Profesori i Fakultetit të Studimeve Islame, Xhabir Hamiti, kërkon nga prijësit fetarë që të punojnë për bashkimin e besimtarëve e jo lëndimin e tyre. Thotë se e ardhmja dhe përparimi si shoqëri dhe si vend, do të varet nga qasja e shëndoshë fetare.

Lajme

30/11/2013 11:13

Ish Kryetari i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Xhabir Hamiti, shpreh shqetësimin e tij për keqpërdorimin e bindjeve fetare të njerëzve në Kosovës.

Në një status në rrjetin social Facebook me titull: “Porosi dhe këshillë për trajtimin e fesë në vendin tonë”, Hamiti kërkon nga prijësit fetarë që të punojnë për bashkimin e besimtarëve, e jo lëndimin e tyre.

“Të gjithë ne, pa dallim etnie e kombi si dhe feje, duhet të jem të vetëdijshëm dhe vigjilentë se bindjet fetare të njerëzve janë keqpërdorur dhe mund të keqpërdoren edhe sot”.

“Prandaj, që të gjithë duhet ta dinë dhe ta kuptojnë se ata të cilët marrin flamurin për t`i ndarë besimtarët tanë, duke përdorur ndjenjat e fesë në emër të interesave personale, të huaja apo të ndonjë ideologjie, e cila shkakton dëmtim, përçarje dhe cungim të trungut të përgjithshëm të komunitetit tonë fetar, ata sigurisht se nuk ja duan të mirën as fesë, e as qytetarëve tanë, e as të ardhmes tonë”.

“Përvojat e fraksioneve fetare të vendeve të ndryshme, të cilat sot kanë rënë në hall të madh me to, të cilat i kanë krijuar vetë, ne nuk kemi nevojë që t`i përqafojmë e të bëjmë eksperimente me to, sepse për çdo ditë po i shohim se cili është dëmi i tyre në shoqëritë ku janë kultivuar e po kultivohen ndasitë fetare”.

“E ardhmja e vendit tonë, avancimi dhe përparimi ynë si shoqëri dhe si vend, do të varet edhe nga orientimi dhe qasja e jonë e shëndoshë fetare”.

“Të gjithë, e në rend të parë prijësit fetarë, duhet të punojnë me kokën tyre, në rrugën dhe qasjen autoktone të interpretimit të fesë, që nënkupton formën dhe qasjen e ofrimit besimtarëve mes vete dhe jo formën kërcënuese e lënduese për të tjerët”.

“Keni kujdes nga përçarja, sepse kur ajo ndodh, në të nuk përfshihen vetëm shkaktarët e saj (por edhe njerëzit e mirë dhe të pafajshëm të cilët nuk kanë marr hapat e preventivës – shkruan në Kur`an: 8- 25”, shkruan Xhabir Hamiti.