​Tarifat gjyqësore rriten deri në 900%, avokatët: Qytetarët po dekurajohen nga drejtësia

Nga 1 janari i këtij viti qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës inicimi i një procedure gjyqësore në gjykatat e Kosovës po iu kushton shumë më shtrenjtë se më parë. Kjo rritje, që mesataren e ka rreth 300 % e që arrin deri në 900% erdhi pas hyrjes në fuqi të udhëzimit të ri administrativ për…

Lajme

09/01/2026 15:51

Nga 1 janari i këtij viti qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës inicimi i një procedure gjyqësore në gjykatat e Kosovës po iu kushton shumë më shtrenjtë se më parë. Kjo rritje, që mesataren e ka rreth 300 % e që arrin deri në 900% erdhi pas hyrjes në fuqi të udhëzimit të ri administrativ për unifikimin e tarifave gjyqësore i cili dritën e gjelbër e mori nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në fund të nëntorit të vitit të kaluar.

Megjithatë, tarifat e reja po arsyetohen nga vetë Këshilli, i cili në një përgjigje me shkrim dhënë KosovaPress-it thotë se rregullimi aktual është bërë me qëllim të përshtatjes me realitetin ekonomik.

“Është me rëndësi të theksohet se që nga viti 2017 nuk ka pasur asnjë ndryshim në taksat gjyqësore, pavarësisht ndryshimeve të theksuara në standardin jetësor, zhvillimeve ekonomike dhe rritjes së kostove të sistemit gjyqësor. Për këtë arsye, rregullimi aktual është bërë me qëllim të përshtatjes me realitetin ekonomik dhe standardet aktuale në Republikën e Kosovës, duke respektuar parimin e proporcionalitetit dhe duke pasur parasysh zgjerimin e ndjeshëm të kategorive të liruara nga pagesa e taksave gjyqësore”, thonë nga KGjK.

Nga Këshilli theksojnë se taksat e reja gjyqësor nuk kanë për qëllim reduktimin e numrit të lëndëve nëpër gjykata..

“Rregullimi dhe unifikimi i taksave gjyqësore ka për qëllim qe të ndërtojë një sistem të drejtë, të barabartë dhe funksional të drejtësisë, në përputhje me standardin jetësor dhe realitetin ekonomik në Republikën e Kosovës dhe nuk ka për qëllim kufizimin e së drejtës për të iniciuar procedura gjyqësore, apo reduktimin e numrit të lëndëve në gjykata në mënyrë të pajustifikuar. Ky rregullim synon të ruajë balancën ndërmjet efikasitetit të sistemit gjyqësor dhe mbrojtjes së qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim. Prandaj, nuk qëndrojnë pretendimet se taksat gjyqësore janë rritur në mënyrë të ndjeshme dhe kanë për qëllim zvogëlimin e numrit të lëndëve në gjykata, përkundrazi, me këtë Udhëzim Administrativ është zgjeruar ndjeshëm lista e kategorive të liruara nga pagesa e taksave gjyqësore, si në aspektin e personave ashtu edhe të parashtresave, duke lehtësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë qasjen në drejtësi për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë”, thuhet në përgjigjen e KGjK-së.

Por, disa avokatë vlerësojnë se shumëfishimi i tarifave për shërbimet gjyqësore rrezikon seriozisht qasjen në drejtësi.

Njohësi i sistemit të drejtësisë, Yll Zekaj, vlerëson se udhëzimi i ri administrativ krijon barrë të rëndë financiare për qytetarët dhe veçanërisht për bizneset e vogla dhe të mesme.

“Ky udhëzim për shumëfish i rrit taksat dhe në njëfarë forme paraqet barrë të madhe për qytetarët dhe për bizneset, sidomos për bizneset e vogla dhe të mesme. Ne e dimë që ekonomia kosovare nuk ka shumë biznese të mëdha. Dhe tani më me këtë udhëzim administrativ bizneset e vogla dhe të mesme do ta kenë shumë problem që të iniciojnë procedurat gjyqësore”, thekoi ai.

Sipas tij, kjo masë është një përpjekje e gabuar për të ulur numrin e mbi 160 mijë lëndëve të patrajtuara në gjykata.

Madje, ai kërkon që Këshilli ta rishikoj këtë dokument në të kundërtën kërkon që ky udhëzim administrativ të kaloj nëpër filtrat e Gjykatës Kushtetuese.

“Ka qenë se nuk kanë gjetur rrugë tjetër për ta ulur numrin e lëndëve ë sot ekzistojnë nëpër gjykata të Kosovës.ne i kemi mbi 160 mijë lëndë të patrajtuara për shkak të grumbullimit ndër vite, por nëse ky ka qenë qëllimi i KGjK-së, ky ka qenë qëllimi më i keq i mundshëm për shkak se nuk mundesh të gjesh zgjidhje të lehta në barrë të qytetarit… Unë besoj që KGjK ka qenë e shtyrë me njëfarë forme të bëjë një veprim të tillë për shkak të pamundësisë për të menaxhuar të gjitha këto lëndë në sistemin e drejtësisë. Por, kjo është çështje që duhet rregullohet nga shteti e jo nga barra e qytetit”, theksoi ai.

Më të prekur nga kjo rritje po konsiderohen të jenë qytetarët dhe bizneset e vogla dhe të mesme.

“Rritja varion kemi prej 100% në shumicën e rasteve e deri në 500-600% tek bizneset. Nëse një padi për vlerën e kompensimit të dëmit para fundit të vitit të kaluar është trajtuar me një padi të iniciuar me një padi prej 30 euro tani më ajo padi duhet të iniciohet me një padi prej 200 euro. Nëse një propozim për sigurim të provës që është obligim në shumicën e rasteve për ta provuar që një dëm është shkaktuar dhe kjo në fillim të procedurë është iniciuar me 30 euro tani me 200 euro. Që i bie diku 500-600% më shumë sesa ka qenë më herët…besoj shumë se kjo do të ndikoj shumë sidomos tek qytetarët dhe tek bizneset e vogla dhe të mesme”, deklaron ai.

Ndërkohë, edhe avokati, Florim Shefqeti paralajmëron se rritja e tarifave krijon pengesa serioze për realizimin e të drejtave ligjore, sidomos për shtresat me të ardhura të ulëta, duke e bërë drejtësinë gjithnjë e më të paarritshme.

“Konsiderojmë se udhëzimi për rritjen e tarifave në një kohë të gjendjes së tillë ekonomike në vend është i papranueshëm dhe si i tillë kemi rritje të tarifave të cilat shkojnë në disa raste mbi 300%. Kjo normalisht që ndikon në punën e avokatëve sepse qytetari para se të vijë në procedurë do ta llogarisë koston e kësaj procedure për kërkimin e realizimit të një të drejte. Respektivisht janë paraqitur vështirësi në realizimin e të drejtëve të qytetarëve për shkak të pengesave paraprake që nënkuptojmë nga rritja e tarifave, e këto tarifa në disa prej tyre janë rritur në 300% që nënkupton që shtresat më të ulëta të cilat nuk kanë mundësi financiare që çështjen e tyre ta ndjekim përmes rrugëve ligjore”, tha ai.

Udhëzimi Administrativ ka liruar nga pagesa e tarifës gjyqësore: shfrytëzuesit e asistencës sociale, familjet e dëshmorëve dhe të personave të zhdukur gjatë luftës, invalidët dhe veteranët e luftës, familjet e viktimave civile të luftës, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, personat me aftësi të kufizuara, përfshirë personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe personat e verbër, si dhe personat që gëzojnë të drejtën për ndihmë juridike falas.

Po ashtu, nga pagesa e taksave gjyqësore lirohen institucionet shtetërore, si dhe personat në gjendje të rëndë ekonomike, të cilët dëshmojnë se pagesa e taksës do të rrezikonte drejtpërdrejt ekzistencën e tyre ose të familjes.

Në kategorinë e parashtresave, udhëzimi ka liruar nga taksat gjyqësore gjithsejtë 26 parashtresa të liruara nga pagesa, ku krahasuar me udhëzimin e mëparshëm janë shtuar edhe 17 parashtresa të reja. Këto parashtresa kanë të bëjnë kryesisht me çështje familjare, sociale, të statusit personal dhe procedura përmbarimore, duke përfshirë kërkesat për alimentacion, mbajtje, besim të fëmijëve, si dhe parashtresat që ndërlidhen me mbrojtjen e kategorive të ndjeshme.

Deri më 31 dhjetor 2025 qytetari i Kosovës për të ngritur një padi për vlerën e kontestit nga 0–1000€ pagoi 20€, ndërsa për vlerën e kontestit 1001–2500€ vetëm 30€, e për vlerën e kontestit 2501–5000€ pagoi 40€. Tani, me udhëzimin e ri administrativ për vlerën e kontestit nga 0 deri në 5000 do të paguaj 60€.

Deri në fund të vitit të kaluar qytetari për të iniciuar një padi në vlerën e kontestit 5001–10,000€ ishte 60€, për 10,001–50,000€ ishte 100€, për 50,001–100,000€ ishte 150€. Nga 1 janari këto shifra janë shumëfishuar, ku për vlerën nga 5001–25,000€ qytetarët do të paguajnë 150€, për vlerën nga 25,001€ – 50,000€ është 200€, për vlerën nga 50,001–100,000€ është 300€.

100% rritje ka pësuar çmimi i tarifës për padi për pengim posedim i cili nga 50 euro sa ishte më herët tani kostoja është 100 euro. Kurse, për propozim për sigurimin e provës e cila kushtonte 30 euro tani qytetarët do të paguajnë 100 euro.

Të afektuara nga rritja e taksave gjyqësore janë bizneset të cilat për një padi në vlerën e kontestit nga 0–1000€ paguanin 20€, për 1001–2500€ paguanin 30€, për 2501–5000€ taksa ishte 40€, për 5001–10,000€ ishte 60€, për 10,001–50,000€ ishte 100€, për 50,001–100,000€ ishte 150€.

E udhëzimi i ri administrativ e dhjetëfishon njërën nga këto tarifa meqëse ajo që paguhej 230 euro, tash është përfshi te paditë në vlerën e kontestit nga 0–25,000€ dhe për të paguahen 200€. për 25,001€- 50,000€ është 300€, për 50,001–100,000€ është 500€.

Kurse, padia për pengim posedim e cila më parë ishte 50 euro tani bizneset për këtë procedurë gjyqësore do të paguajnë 200 euro, ndërsa edhe propozimi për sigurimin e provës i cili ishte 30€ tani është 200€.