Tarifat eventuale të SHBA-së për mallrat e BE-së mund t’i prekin eksportet e Kosovës

Eksportet e Kosovës në Shtetet e Bashkuara kanë qenë kryesisht të qëndrueshme, por tarifat e paralajmëruara të presidentit Donald Trump për mallrat e BE-së do të mund t’i rrisin kostot e prodhimit edhe për kompanitë kosovare. Kompania “Frutex” nga Kosova, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, nisi të eksportonte në Shtetet…

Lajme

24/02/2025 20:01

Eksportet e Kosovës në Shtetet e Bashkuara kanë qenë kryesisht të qëndrueshme, por tarifat e paralajmëruara të presidentit Donald Trump për mallrat e BE-së do të mund t’i rrisin kostot e prodhimit edhe për kompanitë kosovare.

Kompania “Frutex” nga Kosova, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, nisi të eksportonte në Shtetet e Bashkuara në vitin 2019.

Atëkohë, vlera e eksporteve të saj i kaloi 40 mijë dollarë – vitin e kaluar arriti mbi 100 mijë.

“Vlera, prapë, nuk është aq e madhe, pasi që nuk është e lehtë të depërtohet në një treg, ku konkurrenca është e fuqishme. Megjithatë, ne jemi të kënaqur edhe me këtë që vjen falë komunitetit të madh shqiptar në SHBA”, thotë për Radion Evropa e Lirë pronari i kompanisë, Shaqir Palushi.

Organizatat ekonomike thonë se nga viti 2019, në fakt, ka nisur edhe rritja e eksporteve të përgjithshme të Kosovës në SHBA, për shkak të rritjes së cilësisë së produkteve.

Këtë e tregojnë edhe të dhënat e Doganës së Kosovës, sipas të cilave, vlera e tyre në vitin 2019 ishte tre milionë euro, ndërsa tre vjet më vonë arriti në mbi 131 milionë.

Këtë e konfirmon edhe Palushi, i cili thotë se për eksportin e mallrave të tij në SHBA, paguan vetëm koston e transportit.

“Mospagesa e taksës doganore e bën produktin tonë konkurrent me produktet tjera”, thotë ai, duke shtuar se aplikimi i tarifës doganore do të sillte një situatë më ndryshe.

E, ndryshimet e tilla mund të mos jenë larg, sidomos pas paralajmërimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, se vendi i tij do të vendosë së shpejti tarifa mbi mallrat që importon nga BE-ja.

Kjo ka nxitur reagimin e bllokut – tregut më të madh të vetëm në botë, nga i cili varet edhe Kosova. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se tarifat e tilla “të pajustifikuara” do të shkaktonin “kundërmasa proporcionale”.

Rafuna thotë se nëse SHBA-ja i zbaton këto tarifa ndaj produkteve të BE-së, dhe anasjelltas, ato, në mënyrë jodirekte, do ta prekin edhe tregun e Kosovës.

Kjo, pasi kompanitë kosovare varen nga importimi i produkteve të ndryshme nga tregu evropian.

“Në qoftë se një lëndë e parë vjen nga SHBA-ja te një kompani gjermane me tatim doganor më të shtrenjtë, ajo lëndë e parë do të shtrenjtohet. Dhe, kur kompania jonë e blen produktin final prej asaj lënde të parë që është importuar nga SHBA-ja, padyshim se do të jetë më shtrenjtë”, shpjegon Rafuna.

Sejdi Rexhepi, ligjërues i Ekonomisë Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, ndan mendim të ngjashëm.

Sipas tij, ekonomia e Kosovës është importuese dhe ndien çdo ndryshim që pësojnë tregjet botërore.

“Kompanitë tona do të jenë të detyruara të blejnë me çmime më të larta. Kjo, sigurisht, do të reflektohet në rritjen e çmimeve të importit dhe rrezikon të reflektojë edhe në rritjen e përgjithshme të çmimeve në Kosovë”, thotë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vendi, vitin e kaluar, ka importuar mallra në vlerë mbi 6.3 miliardë euro, kurse ka eksportuar vlerën e 941.3 milionë eurove.

Nga 27 vendet anëtare të BE-së janë importuar mallra në vlerë prej rreth tre miliardë eurosh, ose rreth 45 për qind e totalit – nisur nga produktet ushqimore deri te materialet ndërtimore.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së, ndërkaq, kanë pasur vlerën e 294 milionë eurove, apo rreth 30 për qind e totalit.

Partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës në BE, si në eksporte, ashtu edhe në importe, janë: Gjermania, Italia, Austria, Franca dhe Greqia.

Palushi thotë se, edhe nëse nis zbatimi i taksës amerikane për mallrat e BE-së, ai nuk do ta ndërpresë eksportin, por se prodhimet e tij me siguri se do të jenë me çmime më të larta.

“Besoj se konsumatorët, sidomos shqiptarët, janë të gatshëm t’i paguajnë”, thotë Palushi. /REL