Tahiri: Procesi për president ka qenë “spektakël politik” pa konsensus real

Në hollin e Kuvendit të Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar procesin e deritanishëm për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar atë si një “spektakël politik” pa përmbajtje reale. “Në fakt nuk ka ndodhur asgjë. Konsultimi publik për një president unifikues prej ditës së parë ka…

Lajme

21/04/2026 14:28

Në hollin e Kuvendit të Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar procesin e deritanishëm për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar atë si një “spektakël politik” pa përmbajtje reale.

“Në fakt nuk ka ndodhur asgjë. Konsultimi publik për një president unifikues prej ditës së parë ka qenë vetëm për konsum publik, ka qenë një spektakël politik i cili është mbajtur me dyer të mbyllura dhe është ditur epilogu,” deklaroi Tahiri para gazetarëve.

Sipas tij, gjatë gjithë kësaj periudhe nuk ka pasur përpjekje serioze për të arritur një konsensus politik.

“Asnjëherë nuk kam thënë që mund të ndodhë diçka tjetër përveç këtij epilogu, shkak se nuk ka pasur asnjë konsultim politik me gjetë një president unifikues nga subjektet politike që kanë fituar zgjedhjet,” shtoi ai.

Tahiri theksoi se, pavarësisht takimeve dhe daljeve publike, procesi ka qenë formal dhe jo substancial.

“Ka pasur takime të mbyllura, hyrje e dalje, konferenca para gazetarëve, por kurrë s’ka pasur me të vërtetë një konsultim publik për një president unifikues,” u shpreh ai.

Ai ngriti shqetësimin për mungesën e një figure që bashkon skenën politike, duke shtuar.

“Kosova ka qeveri, madje qeverinë më të madhe në Evropë me 22 anëtarë të kabinetit, por s’ka president që përçon një frymë unifikuese, thotë ai.

Duke folur për zhvillimet politike, Tahiri tha se diskutimet mes partive nuk kanë qenë për postin e presidentit, por për çështje të tjera.

“U vërtetua që nuk ka pasur as diskutim për president, ka pasur diskutim për me hy apo me dalë në qeveri, që nuk është temë,” theksoi ai.

Në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Tahiri e cilësoi atë si të qartë.

“Vendimi është ekstrem i qartë, bardhë e zi, tregon kur duhet të shkojë vendi në zgjedhje,” tha ai, duke shtuar se pret që procesi të zvarritet nga pushteti aktual.

Ai kritikoi edhe kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se strategjia e tij politike ka dështuar.

“Blofi politik i zotit Kurti për të vendosur para një presioni opozitën e Kosovës ka dështuar,” deklaroi Tahiri.

Ai ritheksoi qëndrimin e tij për mungesën e një procesi serioz për arritjen e një konsensusi.

“Kurrë s’ka pasur konsultim serioz politik dhe publik për të ardhë deri te një emër unifikues. Ka pasur një farsë, një spektakël, tash i ka ardhë fundi, shtoi ai.