Tahiri i AAK-së paralajmëron krizë ekonomike: Pa energji, Kosova rrezikon falimentim
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj politikës energjetike të Qeverisë, duke theksuar se vendi po shkon drejt një rruge të rrezikshme pa dalje. “Energjia është themeli: pa të, nuk ka ekonomi në Kosovë. Politika energjetike e Qeverisë ka hyrë në rrugë pa dalje. Në vend të kapaciteteve të…

Lajme
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj politikës energjetike të Qeverisë, duke theksuar se vendi po shkon drejt një rruge të rrezikshme pa dalje.
“Energjia është themeli: pa të, nuk ka ekonomi në Kosovë. Politika energjetike e Qeverisë ka hyrë në rrugë pa dalje. Në vend të kapaciteteve të reja dhe një tregu të hapur, kemi monopole të krijuara me vendime politike dhe shkyçje të bizneseve. Kjo është skemë shkatërruese, jo reformë”, tha Tahiri.
Ai paralajmëroi për pasojat e rënda që po prekin sektorin privat dhe qytetarët: “Mbi 1,000 kompani janë në prag të mbylljes, mbi 120 mijë punëtorë dhe familjet e tyre janë në gjendje alarmante. Çmimet po rriten dhe do të rëndojnë çdo qytetar”.
Sipas Tahirit, institucionet që duhet të mbronin interesin publik janë kthyer në problem: “Qeveria dhe ZRRE-ja janë bërë vet problemi. Në vend të rregullimit dhe analizës së situatës, kemi policinë që shkon për të shkyçur bizneset, duke treguar dështimin e plotë të qeverisjes”.
Ai përfundoi me një apel urgjent: “Pa energji nuk ka sektor privat, nuk ka prodhim e as punësim. Nëse kjo politikë nuk ndalet, Kosova rrezikon falimentim ekonomik dhe humbjen e shpresës për zhvillim. Duhet veprim urgjent për ta ndalur këtë rrugë shkatërrimtare”.