Tahiri e sheh të vonshme deklaratën e votuar sot në Kuvend, procesin për President e konsideron jo serioz
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri ka folur para mediave në lidhje me deklaratën e miratuar në Kuvend dhe çështjen e Presidentit që po e pret Kosovën. Ai ka thënë se kjo seancë ishte bukur e rëndësishme por e vonshme. “Deputetët që e votuan një deklarim politik, shtetëror të Kuvendit është më e…
Lajme
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri ka folur para mediave në lidhje me deklaratën e miratuar në Kuvend dhe çështjen e Presidentit që po e pret Kosovën.
Ai ka thënë se kjo seancë ishte bukur e rëndësishme por e vonshme.
“Deputetët që e votuan një deklarim politik, shtetëror të Kuvendit është më e pakta që mund të bënin. Kjo nuk ish dashur të jetë as temë por të ndodhte më herët, për shkak se zotimi i individëve në parti ka qenë nga dita e parë. Ne sot jemi vonë me deklaratën tonë, por megjithatë është një zotim shtetëror i përfaqësuesve të popullit se padrejtësia, angazhimi i shtetit dhe nevoja e unifikimit në këtë temë të rëndësishme për kombin shqiuptar, lirinë dhe ata katër burra që janë në Hagë është jetike”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se Aleanca është subjekti i parë që ka kërkuar të ketë deklarim.
“Ne kemi qenë të parët këtu e kemi bërë deklarimin dhe jam shumë i lumtur që e kemi dhënë kontributin tonë në unifikim por edhe shtyrjen përpara të një agjende që është e rëndësishme për shtetin por edhe për katër çlirimtarët tanë”, ka shtuar Tahiri.
Në lidhje me çështjen e Presidentit, ai ka thënë se po sheh një injorim të një situate shumë reale.
“Çka është situata reale? Deputet dhe deputete, qytetarë të Kosovës me 6 tetor ne ose shkojmë në zgjedhje ose vazhdojmë me rrugëtimin shtetëror me këtë zotim dhe zotime tjera. Është totalisht e pakuptueshme dhe e paakceptueshme që ne të mos flasim për problemet reale në Kosovë. Na ka hy debati kush është më patriot e kush është spiun, kush i majtë e i djathtë, kush po bën më shumë, e ndonjëherë kush po qan më shumë. sot Kosova ka nevojë për seriozitet, për reflektim sepse kanë mbetur edhe 8 ditë deri te një vendim.Nuk shoh proces serioz, nuk shoh reflektim të situatës çka ka ndodh me 16 shtator, por shoh vazhdimësi të një situate që po na përsëritet”, ka shtuar ai. /Lajmi.net/