Tahiri: Dialogut i kemi vënë vija të kuqe, nuk bisedojmë për çështje të brendshme të Kosovës

Udhëheqësja e palës kosovare në dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se me Serbinë nuk do të bisedohet për çështjet që kanë të bëjnë me sovranitetin e Kosovës. Ajo ka thënë se nga pala serbe që nga viti 2011 është kërkuar një gjë e tillë, por Kosova e ka refuzuar.

Lajme

23/01/2015 09:35

Ministrja Edita Tahiri, ka thënë se s’ka kurrfarë mundësie të diskutohet për Trepçën në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka thënë se vijat e kuqe të vendosura në dialogun me Serbinë nuk lejojnë të hapen tema të tilla. Ministrja Tahiri për Gazetën Express ka thënë se as Kushtetua nuk e lejon hapjen e temave që kanë të bëjnë me pasurinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Pozicioni si Qeveri e Republikës së Kosovës në dialogun e Brukselit është i bazuar në vija të kuqe, në mesin e të cilave është që edhe për pronat dhe për pasurinë e Republikë së Kosovës nuk flitet në dialogun e Brukselit”.

“Mund t’ju them se që nga fillimi i dialogut në vitin 2011 pala serbe ka kërkuar vazhdimisht që këto tema të shtrohen në dialog, por ne kemi qenë të prerë, kemi refuzuar dhe do të refuzojmë vazhdimisht dhe kategorikisht sepse ato janë tema që kanë të bëjnë me sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës. Nuk bisedojmë me Serbinë dhe as me askënd për çështje të sovranitetit të Republikës”.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës e bën të qartë se pasuritë shtetërore dhe sovraniteti janë prona të shtetit të Kosovë të garantuara me Kushtetutë. Ne si Qeveri në këtë dialog respektojmë vijat e kuqe dhe Kushtetutën e Kosovës që nuk lejojnë që në këtë dialog të mos bisedohet për çështje që prekin sovranitetin dhe integritetin territorial”, ka thënë Tahiri.