Sipas tij, viktimat dyshohet se pas ekzekutimit janë hedhur në një gropë qereçi.
“Po tash sapo erdha nga lokacioni ku është zbuluar varreza e re masive. Deri tash janë zbuluar të paktën 4 trupa, të cilët pas ekzekutimit janë hedhur në një gropë qereçi”, tha Sveçla para mediave.
Ai tha se ekipet hetimore, ekspertët e forenzikës dhe të mjekësisë ligjore të Republikës së Kosovës, me mbështetjen e ekspertëve të EULEX-it, po zhvillojnë punën në terren për zbardhjen e rastit.
“Hetimet për kriminelët që kanë shkaktuar këtë krim do të vazhdojnë. Ne nuk do të ndalemi derisa nuk zbulojmë edhe të pagjeturit e fundit, por po ashtu nuk do të ndalemi derisa secili kriminel të paguajë për krimet që kanë shkaktuar, posaçërisht për këto krime ku gjatë luftës kanë ekzekutuar njerëz të pafajshëm dhe pastaj kanë punuar që ky krim të fshihet”, u shpreh ai.
Në deklaratën e tij, Sveçla akuzoi Serbinë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe tha se ka pasur përpjekje të vazhdueshme për fshehjen e tyre.
“Siç kam deklaruar edhe më herët, tashmë është dëshmuar se Serbia është e njëjta Serbi e cila ka shkaktuar krime të luftës në ’98–’99. Ajo nuk po ndryshon dhe përveçse është angazhuar që të dëmtojë, të vrasë e të spastrojë Kosovën nga shqiptarët, gati e tri dekada është duke punuar në vazhdimësi që këto krime t’i fshijë”, tha Sveçla.