Sveçla: Ligji për Paga procedohet në Qeveri në muajin mars

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Ligji për Paga do të procedohet për miratim në Qeveri në muajin mars.

Lajme

20/01/2022 13:30

Ai ka thënë se ministrisë po i merr kohë analizimi i ligjit, por që kjo do të shërbejë që ligji të jetë i zbatueshëm”.

“Nga raportimi i fundit që kemi pasur në dhjetor, jo më shumë se një muaj, janë zhvilluar takime të shpeshta për finalizim. Janë diskutuar koeficientet për secilën pozitë – në bazë parimore, të drejtë e mosdiskriminuese. Lista duhet të jetë parimore e të reflektojë barazi. Në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, janë eliminuar pjesët ku është vlerësuar se janë tejkaluar kompetencat e Qeverisë”, ka thënë ai duke shtuar se me ligjin që planifikohet të miratohet “do të ketë sistem të mirëfilltë, afatgjate, të zbatueshme e funksionale të pagave dhe shpërblimeve”, ka deklaruar ministri në Kuvend.

Sveçla ka thënë se MPB-ja po punon me Ministrinë e Financave për të caktuar koeficientin për të pasur barazi në sektorin publik.

“Muaj shkurt është i rezervuar për një debat publikm të gjerë”, tha ai.

Ministri në fund të fjalimit tha se në muajin mars Ministria e Punëve të Brendshme do të procedojë ligjin për miratim në Qeveri.