Suspendohet zyrtari policor Idriz Gashi që u pa në tubim elektoral në Skenderaj

Anipse kanë mbetur edhe disa ditë deri në datën zyrtare të nisjes së fushatës elektorale, në vendin tonë partitë politike, e kandidatë të ndryshëm kanë filluar veçse fushatën. Kësisoj shumë prej partive politike po mblidhen thuajse çdo dit e çdo natë në ambiente të ndryshme në gjithë Kosovën. Ngjashëm ndodhi edhe me disa tubime të…

Lajme

07/01/2025 14:59

Anipse kanë mbetur edhe disa ditë deri në datën zyrtare të nisjes së fushatës elektorale, në vendin tonë partitë politike, e kandidatë të ndryshëm kanë filluar veçse fushatën.

Kësisoj shumë prej partive politike po mblidhen thuajse çdo dit e çdo natë në ambiente të ndryshme në gjithë Kosovën.

Ngjashëm ndodhi edhe me disa tubime të realizuara nga PDK-ja në Skenderaj.

Por ajo çfarë ra në sy gjatë këtij tubimi, ishte prania e një zyrtari policor.

Saktësisht bëhet fjalë për zyrtarin policor, Idriz Gashi. Gashi i cili madje ishte rreshter në kuadër të hetimeve për Krime Ekonomike në Prishtinë, ishte po ashtu edhe hetues në një prej rasteve më të mëdha të hetuesisë në vend, atë të Rezervave Shtetërore.

Polici Gashi u pa i afërt me zyrtarë të PDK-së në tubimin elektoral, anipse në bazë të ligjit një gjë e tillë është e ndaluar për zyrtarët policorë.

Ata parashihet të jenë apolitikë e assesi të mos bëhen pjesë e politikave në vend.

“Pjesëmarrja në fushata elektorale për zgjedhje në detyrë publike” dhe “pjesëmarrja aktive në cilëndo parti politike, ndjekja e udhëzimeve nga cilado parti politike në kryerjen e detyrave policore; paraqițja me uniformë policore në çfarëdo tubimi politik, përveç kur është në detyrë zyrtare policore”, thuhet në nenin 49 të Policisë së Kosovës.

E si shkak i kësaj pjesëmarrje tashmë të bërë publike përmes mediave, Inspektorati Policor ka konfirmuar për lajmi.net se Idriz Gashi veçse është suspenduar nga Policia.

Në një përgjigje të dhënë nga Inspektorati Policor i Kosovës u tha se pas mbledhjes dhe analizimit të informacioneve në lidhje me këtë rast, zyrtari policor është suspenduar.

“Duke ju referuar kërkesës suaj IPK ju njofton se sipas detyrës zyrtare pas publikimit të lajmeve në medie ka filluar grumbullimin dhe analizimin e informacioneve për këtë rast. Zyrtari policor është suspenduar nga Policia dhe IPK është njoftuar për këtë suspendim përderisa veprimet tjera do të ndërmerren konform autorizimeve ligjore”.

Kësisoj zyrtari policor që mori pjesë në tubimin elektoral në Rrezallë të Skenderajt, tashmë është suspenduar.

Në përgjigjen e IPK-së nuk janë dhënë detaje shtesë se për sa kohë saktësisht është marrë vendimi për suspendimin e këtij zyrtari policor./Lajmi.net/