Suspendohen dy policët e Podujevës për sjellje jo etike
Policia e Kosovës ka suspenduar dy zyrtarë policorë të cilët kishin keqpërdorur detyrën zyrtare, duke shëtitur dy të rinj me veturë zyrtare dhe duke përdorur fjalë banale.
Lajme
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet pas publikimit të një video-xhirim në media ku shfaqen dy zyrtarë policorë me automjet zyrtar, në të cilin transportonin dy persona civilë të paautorizuar si dhe duke u sjellë në kundërshtim me kodin e etikës dhe sjelljes profesionale të Policisë, menaxhmenti kompetent i Policisë së Kosovës menjëherë ka ndërmarrë të gjitha verimet e nevojshme ligjore për të kryer hetime drejt identifikimit të zyrtarëve policorë dhe shkeljeve të mundshme nga ana e tyre.
“Sot me 10.11.2014, si rezultat i verifikimeve janë identifikuar dy zyrtarët policorë dhe ndaj tyre janë ndërmarrë masat e menjëhershme të suspendimit policor për 48 orë, si dhe lënda ndaj të njëjtëve është proceduar tek Drejtoria e Standardeve Profesionale për veprime të mëtutjeshme hetimore”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia e Kosovës duke falënderuar të gjithë qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm që kanë treguar, e siguron gjithë opinionin e gjerë se është e përkushtuar që t`i ndërmarrë të gjitha masat e parapara ligjore kurdoherë që dyshohet se pjesëtarët e saj bien ndesh me dispozitat ligjore.