Dyshime për manipulim votash: Gjykata Supreme ndërpret paraburgimin e kryesuesit të KKZ-së në Prizren
Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur të ndërpresë masën e paraburgimit ndaj të pandehurit N.B., i dyshuar për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”, duke e liruar atë që të mbrohet në liri. Sipas njoftimit të Supremes, është aprovuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë dhe me këtë vendim janë ndryshuar aktvendimet e Gjykata…
Lajme
Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur të ndërpresë masën e paraburgimit ndaj të pandehurit N.B., i dyshuar për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”, duke e liruar atë që të mbrohet në liri.
Sipas njoftimit të Supremes, është aprovuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë dhe me këtë vendim janë ndryshuar aktvendimet e Gjykata Themelore në Prizren dhe Gjykata e Apelit e Kosovës, të cilat kishin caktuar dhe vërtetuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit për veprën penale “Falsifikimi i rezultatit të votimit”.
Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, Supremja ka vlerësuar se dy instancat më të ulëta gjyqësore nuk kanë dhënë arsyetim të mjaftueshëm dhe bindës për ekzistimin e bazës ligjore për caktimin e paraburgimit.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se pretendimet për rrezikun e ndikimit në dëshmitarë apo përsëritjen e veprës penale janë të natyrës supozuese dhe nuk mbështeten në prova konkrete. Sipas gjykatës, nuk ekziston rrezik real që i pandehuri të ndikojë në dëshmitarë apo të përsërisë veprën penale, duke pasur parasysh se procesi zgjedhor ka përfunduar dhe rezultatet tashmë janë certifikuar.
Gjykata Supreme ka theksuar gjithashtu se paraburgimi është masë e fundit (ultima ratio), e cila duhet të zbatohet vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe kur plotësohen qartë kushtet e përcaktuara me ligj.