Supremja anulon vendimin për paraburgimin e tre të dyshuarve për rastin e 1 milion eurove në Merdarë

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe ka anuluar vendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës për caktimin e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve në rastin e shpëlarjes së parave, duke e kthyer çështjen në rivendosje. Bëhet fjalë për Edmir Ahmagjokaj, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska, të cilët dyshohen për përfshirje në…

Lajme

31/03/2026 15:44

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe ka anuluar vendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës për caktimin e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve në rastin e shpëlarjes së parave, duke e kthyer çështjen në rivendosje.

Bëhet fjalë për Edmir Ahmagjokaj, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska, të cilët dyshohen për përfshirje në rastin e sekuestrimit të rreth 1 milion eurove në pikën kufitare në Merdarë, më 24 shkurt 2026, transmeton lajmi.net.

Sipas aktvendimit të Supremes, Apeli kishte caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve, duke ndryshuar vendimin e Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila më herët kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë për ndalimin e tyre.

Megjithatë, Gjykata Supreme vlerësoi se vendimi i Apelit ishte i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale. Sipas saj, gjykata e shkallës së dytë nuk kishte arsyetuar në mënyrë të mjaftueshme ekzistimin e “dyshimit të bazuar”, që është kusht kryesor për caktimin e paraburgimit.

Në aktvendim thuhet se Apeli kishte listuar prova, por nuk kishte shpjeguar se si ato lidhen konkretisht me të dyshuarit dhe veprën penale të shpëlarjes së parave. Po ashtu, mungonte ndërlidhja e qartë mes provave dhe veprimeve të të pandehurve.

Rrjedhimisht, Supremja vendosi që çështja të kthehet në rishqyrtim, duke obliguar Apelin që në rivendosje të japë arsyetime më të detajuara lidhur me dyshimin e bazuar.

Rasti lidhet me një shumë prej rreth 1 milion eurosh, të cilat u gjetën të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni që po vinte nga Gjermania për në Kosovë, me destinacion Shqipërinë. Paratë u zbuluan nga zyrtarët doganorë dhe policia kufitare në Merdarë.

Komunikata e plotë: 

Anulohet vendimi për paraburgim në rastin e “1 milionëshit”, çështja kthehet në rivendosje
Gjykata Supreme e Kosovës, në çështjen penale ndaj të pandehurve E.A., A.K. dhe A.L., për veprën penale shpërlarja e parave nga neni 302 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe nenin 56 paragrafi 1 pika 1.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, ka marrë vendim lidhur me ankesat e paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve.
Duke vendosur mbi ankesat kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, PN.1.S.nr.68/2026 të datës 18 mars 2026, në seancën e kolegjit të mbajtur më 30 mars 2026, Gjykata Supreme ka vendosur të aprovojë ankesat e mbrojtësve të të pandehurve, të anulojë aktvendimin e Gjykatës së Apelit dhe çështjen ta kthejë në rivendosje, në të njëjtën gjykatë.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e datës 9 mars 2026, kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve.
Ndërkaq, Gjykata e Apelit e Kosovës, më 18 mars 2026, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë dhe kishte ndryshuar këtë vendim duke u caktuar të pandehurve masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Kundër këtij vendimi, mbrojtësit e të pandehurve paraqitën ankesa, duke kundërshtuar ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e paraburgimit.
Gjykata Supreme vlerësoi se ankesat janë të bazuara dhe konstatoi se aktvendimi i Gjykatës së Apelit përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, shkalla e dytë nuk ka bërë ndërlidhjen e qartë ndërmjet provave dhe veprimeve të të pandehurve.

Gjykata Supreme thekson se ekzistimi i dyshimit të bazuar është kusht themelor për caktimin e paraburgimit, në përputhje edhe me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.