Sukses për Kosovën nëse vitin e ardhshëm hiqen vizat
Gjasat që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirshëm në vendet e zonës Schengen brenda këtij viti, pa u aplikuar regjimi i vizave, tashmë janë shuar plotësisht. Përveç njohësve të proceseve integruese evropiane këtë e thonë edhe në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Lajme
Ndonëse që nga 2012 kur edhe ka filluar ky proces për Kosovës si vendin e vetëm në Ballkan, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë jashtë rajonit pa viza, as viti 2015 nuk do të jetë vit i heqjes së tyre.
Kjo sipas njohësit të Integrimeve evropiane, Avni Mazrekun po ndodh për shkak të procedurave që duhet t’i nënshtrohet ky proces.
“Nuk ka asnjë mundësi procedurale që liberalizimi i vizave për Kosovën të ndodh në këtë vit, në vitin që ne po flasim në vitin 2015. Arsyet pse nuk ka mundësi të ndodh këtë vit është se ashtu siç ka deklaruar kryeministri Mustafa se këto kritere që janë teknokratike, që janë një dimension i procesit të liberalizimit të vizave nëse i përmbush deri në fund të nëntorit, nuk është Kosova që vendos që cilat kritere janë përmbush a po nuk janë përmbush por është Komisioni Evropian, organi i BE-së që vendos nëse këto kritere janë përmbushur apo nuk janë përmbushur”, tha Mazreku.
Sipas tij, vendimi politik për këtë proces duhet të merret me konsensus, dhe këtu duhet edhe pajtimi i pesë vendeve evropiane Spanjës, Sllovakisë, Qipros, Rumanisë dhe Greqisë e që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Sikurse Mazreku edhe Emrush Ujkani vlerëson se gjasat që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në vendet e zonës Shengen brenda këtij viti janë minimale, për të mos thënë që nuk ekzistojnë. Për të do të ishte arritje e madhe nëse qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në këto shtete brenda vitin 2016.
“Sa i përket liberalizimit të vizave dhe mundësitë që qytetarët të lëvizin lirshëm nuk ka shumë gjasa që kjo të ndodh gjatë këtij viti. Nëse kjo do të ndodhte vitin që vjen do të ishte arritje e madhe, duke pas parasysh që jemi vend që kemi qenë i fundit i përfshirë në këtë proces. Si qytetarë do të isha lutë që të ndodhte diçka e tillë, por objektivisht nuk e shoh të mundshme që kjo të ndodh brenda këtij viti, meqë edhe me kohë nuk qëndrojmë mirë, për të shpresuar në një rezultat pozitiv në këtë drejtim”, tha Ujkani për KosovaPress përmes telefonit .
Jo më pak pesimist në këtë drejtim janë edhe zyrtarë nga Ministria e Integrimeve Evropian.
Fisnik Rexhepi, këshilltarë i lartë politik i ministrit të Integrimeve Evropiane, Bekim Çollakut në një prononcim për KosovaPress deklaroi se ndonëse Kosova gjatë muajve të fundit ka ecur me hapa gjigant sa i përket procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, e vetmja që mund të pritet gjatë kësaj kohe është marrja e rekomandimeve nga ana e Komisionit Evropian për heqjen e liberalizimit të vizave.
“Duke u bazuar në situatën aktuale, në progresin që kemi bërë, në qasjen e drejtë që ka Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare në raport me Kosovën, mbesim optimist që brenda këtij viti do të kemi rekomandim pozitiv”, tha Rexhepi.
Ai theksoi se qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Shengen vetëm në vitin e ardhshëm. Sipas tij, lufta ndaj korrupsionit si dhe krimit të organizuar si disa nga kriteret që ende nuk janë plotësuar nga udhërrëfyesi i KE-së, është një luftë e cila duhet të bëhet gjatë tërë procesit të integrimit të Kosovës në strukturat e BE-së.
“Pavarësisht fak tit që ne këtë vit presim të marrim rekomandimin për liberalizim të vizave, vitin e ardhshëm qytetarët tanë të udhëtojnë pa viza në drejtim të vendeve të Zonës Shengen ne do të vazhdojmë të kemi gjithmonë si detyrë, si obligim edhe nga brenda por edhe nga BE që të bëjmë edhe më shumë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit , sepse asnjëherë nuk është mjaftë për të arritur rezultate të kënaqshme, në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Rexhepi.
Procesi i Liberalizimit për Kosovën ka filluar në vitin 2012. Kurse, në qershor të këtij viti është dorëzuar nga institucionet e Kosovës raporti mbi zbatimin e kritereve të dala nga udhërrëfyesi i Komisionit Evropian, një mision vlerësues gjatë korrikut kishte konfirmuar se janë plotësuar nga 95 kritere që kanë qenë në udhërrëfyes 87 sosh ose mbi 95 për qind të tyre.