​Studentët në Shqipëri rikthehen në fakultete, një grup hyjnë dhe u bëjnë thirrje t’i bashkohen protestës

Në universitetet publike është zhvilluar sot normalisht procesi mësimor në auditorë. Mësimi është zhvilluar në Universitetin e Mjekësisë si dhe dhe në Fakultetin e Drejtësisë, të Histori-Filologjisë, në Fakultetin e Ekonomisë si dhe tek Universiteti Politeknik. Rikthimi i studentëve në auditorë i dha fund bojkotit për rreth dy javë. Vendimi për rikthimin në mësim është…

Lajme

02/11/2026 19:12

Në universitetet publike është zhvilluar sot normalisht procesi mësimor në auditorë. Mësimi është zhvilluar në Universitetin e Mjekësisë si dhe dhe në Fakultetin e Drejtësisë, të Histori-Filologjisë, në Fakultetin e Ekonomisë si dhe tek Universiteti Politeknik.

Rikthimi i studentëve në auditorë i dha fund bojkotit për rreth dy javë. Vendimi për rikthimin në mësim është marrë nga vetë studentët përmes komunikimeve në grupet e tyre, me argumentin se çdo orë e humbur është në dëm të tyre.

Por teksa në këto fakultete po vijohej normalisht mësimi, një grup studentësh u mblodhën sot rreth orëve të mesditës fillimisht para Universitetit Politeknik e më pas vijuan marshimin në fakultete e tjera në Tiranë duke hyrë nëpër auditorë dhe ndërprerë procesin mësimor.

Me thirrjen “Bojkotoni mësimin”, “Bashkohuni me ne”, grupi i të rinjve kaluan në çdo sallë të Fakultetit të Ekonomisë, më pas drejt Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Fakultetit të Drejtësisë, por edhe në fakultete të tjera duke iu bërë thirrje studentëve që të bojkotojnë mësimin dh t’i bashkohen protestës.

Grupi i të rinjve marshuan edhe për te Fakulteti i Shkencave të Natyrës, ku hynë në ambientet e fakultetit dhe u bënë thirrje studentëve të bojkotonin mësimin, sikurse shihet nga fotot dhe pamjet e fotoreporterit të ATSH-së.

Procesi mësimor është zhvilluar i rregullt edhe në universitetet e tjera në vend, në Korçë, Shkodër, Vlorë, Elbasan dhe Gjirokastër.

Këshilli Studentor Korçë njoftoi të premten rikthimin në procesin mësimor për të gjithë studentët, duke nisur nga dita e hënë.

Përmes një njoftimi drejtuar studentëve, Këshilli bën me dije se vendimi vjen pas qetësimit të situatës lidhur me incidentet e dhunës, si dhe pas shqyrtimit të shqetësimeve të ngritura nga vetë studentët.

Sipas tyre bojkoti nuk është zhvilluar në mënyrë të plotë nga të gjithë studentët, pasi një pjesë e tyre kanë vijuar të ndjekin mësimin edhe gjatë ditëve të bojkotit.