Studentët e UP-së do të bëjnë praktikë në kompaninë gjermane “Amperax”
Studentët e Universitetit të Prishtinës, përkatësisht të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, do të kenë mundësinë të bëjnë praktikën në kompaninë gjermane “Amperax”, që merret me prodhimin gjeneratorëve të erës.

Lajme
Kjo u bë e ditur nga vet drejtori i kësaj kompanie, Wolfgang Schmittner, i cili mbajti një ligjëratë para studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, tha se përvojat e kompanisë gjermane “Amperax” do të ndihmojë dukshëm Kosovën për gjetjen e zgjidhjeve më të mira për furnizim të rregull me energji për vendin tonë.
Shala tha se Qeveria e Kosovës së bashku me MMPH-në janë të përkushtuar që të avancojnë energjinë e ripërtërishme dhe zhvillimin ekonomik.
Ai njoftoi studentët edhe për hartimin e Ligjit për Energjinë e Ripërtërishme, i cili tashmë ka përfunduar dhe shumë shpejt pritet të miratohet në qeveri dhe në Kuvend.
Profesori gjerman Wolfgang Schmittner në fillim të ligjëratës së tij u dha studentëve një porosi duke iu thënë se “nëse doni të arrini dhe të jeni të suksesshëm, duhet të doni vendin tuaj”.
Më pas profesori gjerman në ligjëratën e tij para shumë studentëve trajtoi temat: Kërkesat dhe studimi i arsyeshmerisë së projektit, optimalizimi dhe Plani i Biznesit për Financim, dizajnimi, prodhimi dhe autorizimi, Instalimi dhe operimi, dhe burimet tjera të energjisë së ripërtërishme dhe diskutime.
Përpos ligjëratës, Wolfgang Schmittner prezantoi projekt propozimin “Pavarësimi energjetik i Fakulteteve Teknike” projekt inovativ në Kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë në mes të komunitetit të bizneseve në Kosovë, Gjermani & Danimark, Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, GIZ-in Gjerman, si dhe Klasterit të Industrisë së Metaleve dhe Energjisë së Ripërtërishme të Kosovës.