​Studentët dhe qytetarët bëhen gati për protestën në Beograd

Protesta “Shihemi në Vidovdan”, e planifikuar për sot në orën 18:00 në Beograd, e cila u thirr nga lëvizja studentore, pritet me tensione dhe akuza të shumta nga autoritetet se është një tubim i paligjshëm, ndërsa studentët kanë hedhur poshtë pretendimet e Beogradit zyrtar për një gjë të tillë, raporton KP. Tubimi në Sheshin “Slavia”…

Lajme

28/06/2025 17:26

Protesta “Shihemi në Vidovdan”, e planifikuar për sot në orën 18:00 në Beograd, e cila u thirr nga lëvizja studentore, pritet me tensione dhe akuza të shumta nga autoritetet se është një tubim i paligjshëm, ndërsa studentët kanë hedhur poshtë pretendimet e Beogradit zyrtar për një gjë të tillë, raporton KP.

Tubimi në Sheshin “Slavia” është një nga një seri protestash mujore të shkaktuara nga vdekja e 16 personave më 1 nëntor të vitit të kaluar nga shembja e tendës në stacionin hekurudhor të rinovuar së fundmi në Novi Sad, raporton KosovaPress.

Studentët protestues fajësojnë qeverinë për aksidentin, duke e akuzuar atë për praktika korruptive, ndërsa udhëheqja shtetërore i quan studentët, grupet shoqërore që i mbështesin ata dhe opozitën “bllokadë” dhe “terroristë”, dhe protestat dhe veprimet studentore një “revolucion me ngjyra”.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha përpara protestës se pret dhunë në fund të tubimit.

Po sot Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet do të mbajë një tubim në Parkun “Pionir” dhe gjatë ditës ka sjellë disa autobusë me mbështetës të saj.

Ministri i Brendshëm serb Ivica Daçiq paralajmëroi se “çdo përpjekje për dhunë do të parandalohet dhe sanksionohet”.

Nga ana tjetër, studentët thonë se nuk kanë bërë dhe nuk do të bëjnë thirrje për dhunë në asnjë kohë, dhe se studentët do të heqin jelekët e tyre në orën nëntë të mbrëmjes dhe kështu do ta përfundojnë zyrtarisht protestën. Ata vënë në dukje se nuk janë përgjegjës për atë që mund të ndodhë pas kësaj.