Strategjia, e paqartë për rritjen e buxhetit në 3 miliardë euro

Drejtuesit e Qeverisë së Kosovës kanë premtuar rritje të buxhetit të shtetit deri në 3 miliardë euro përgjatë mandatit qeverisës, por pa dhënë detaje se si do të përmbushet ky premtim.

Lajme

13/02/2020 08:51

Megjithëkëtë, kryeministri Albin Kurti shpreson se një gjë e tillë do ta arrijë duke rritur paraprakisht vlerën e ekonomisë. Por ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se ky zotim është i pamundur të realizohet përgjatë një mandati, shkruan gazeta Zëri.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar rritje të buxhetit të shtetit deri në 3 miliardë euro gjatë mandatit qeverisës. Por Qeveria nuk ka bërë publike strategjinë se si mëton të vijë deri te kjo rritje. Në një dokument, në të cilin janë të paraqitura shkurtimisht pikat e programit qeverisës LVV – LDK, thuhet vetëm se buxheti i Republikës së Kosovës do të arrijë në 3 miliardë euro gjatë këtij mandati, duke rritur paraprakisht vlerën e ekonomisë.

Por nuk jepen hollësi të tjera. Gjersa kanë folur rreth kësaj përfaqësuesit e opozitës janë shprehur të bindur se ky zotim i Qeverisë nuk mund të realizohet për katër vjet. Ata kanë thënë se presin që buxheti të rritet nga viti në vit, por shifrat e paralajmëruara nga drejtuesit e ekzekutivit i kanë cilësuar të paarritshme. Ndërkohë Kosova ende nuk e ka miratuar buxhetin për vitin 2020.

Qeveria akoma nuk ka prezantuar projektbuxhetin, i cili më pas duhet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për miratim, mirëpo qeveria paraprake ka miratuar vetëm kornizat buxhetore.