Stavileci: Trepça, ndërmarrje publike qendrore e Republikës së Kosovës?
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci thotë se “Trepça” do të mbrohet me ligj. Sipas tij, të mërkurën në rendin e ditës në mbledhjen e Qeverisë do të përfshihet edhe shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike.
Lajme
“Ky projektligj kishte kaluar leximin e parë në legjislaturën e kaluar, por pas shpërbërjes së Kuvendit është kthyer përsëri në pikën zero. Duke u bazuar në të, Kuvendi mund të marrë vendim që t’i heqë nga kompetencat e Agjencisë Kosovare për Privatizim ndërmarrjet shoqërore ose njësitë organizative të tyre – përfshirë asetet, dhe të autorizojë Qeverinë që këtë ndërmarrje shoqërore ose njësitë e saj t’i regjistrojë si ndërmarrje publike qendrore në pronësi të Republikës së Kosovës”, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook ministri Stavileci.
Sipas tij, kompleksi “Trepça” është interes madhor i shtetit, i cili është ndërtuar me mundin dhe punën e vyeshme të minatorëve tanë dhe “ne do të ndërmarrim hapa konkretë për fuqizimin dhe zhvillimin e këtij kompleksi”.