Statusi, Basha e Berisha festë ndaras nga ajo e Ramës

Festimet për marrjen e statusit të vendit kandidat për antarësim në BE, ndryshe nga sa pritej e kanë ndarë politikën shqiptare. Ndërsa kryeministri Rama organizoi një ceremoni festive në Pallatin e Brigadave, kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha zgjodhi të festojë në natyrë, pranë amfitetarit të Liqenit Artificial.

Lajme

29/06/2014 00:00

Këtij aktiviteti iu bashkua mes brohoritjeve edhe ish kryeministri dhe ish lideri i PD-së Sali Berisha, i cili me këtë rast e refuzoi hapur ftesën që i bëri kryeministri Rama pak ditë më parë për t’iu bashkuar ceremonisë në Pallatin e Brigadave.

Në fjalën e tij kreu i PD-së Basha tha se kjo është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët, që sakrifikuan dhe kontribuan për Shqipërinë europiane që nga vitet 1990-të.

Sipas Bashës, një vlerësim më vete i shkon edhe ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ka një meritë të veçantë për marrjen e statusit kandidat.

Më tej kreu i PD shprehu mirënjohje të veçantë edhe për Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare që vendosën ti japin Shqipërisë statusin kandidat. Por Basha kujtoi se rruga drejt Evropës sapo ka nisur, ndaj dhe të gjithë ne duhet të bëjmë gjithçka për të ruajtur dhe përmbushur standardet që do të na çojnë drejt anëtarësimit të plotë evropian. 

Basha dhe Berisha nuk qëndruan deri në fund të koncertit, por u larguan fill pas fjalimit të mbajtur para të rinjve. Ata janë parë të hyjnë së bashku në zyrën e z.Berisha pranë ambienteve të qendrës ABA, në Tiranë.

Ndërkohë koncerti festiv vijoi për disa orë pranë Liqenit Artificial, ku dhjetëra të rinj shijuan një mbrëmje ndryshe nën tingujt e muzikës, dhe freskisë që ofronte natyra. (Kosovapress)