Stano: Shqetësimi i ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, nuk është i ri
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka reaguar pas paralajmërimit të presidentit ukrainas, Volodimir Zelensky, i cili tha se Rusia do të sigurohet që një vend ballkanik të nisë luftën me një shtet tjetër. Stano ka thënë se BE-ja e ka deklaruar qysh më herët se Rusia po përpiqet në çfarëdo forme që të ushtrojë…
Lajme
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka reaguar pas paralajmërimit të presidentit ukrainas, Volodimir Zelensky, i cili tha se Rusia do të sigurohet që një vend ballkanik të nisë luftën me një shtet tjetër.
Stano ka thënë se BE-ja e ka deklaruar qysh më herët se Rusia po përpiqet në çfarëdo forme që të ushtrojë ndikim në Ballkanin Perëndimor, transmeton lajmi.net.
“Ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin ukrainas dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka që të mbjellë pakënaqësi, jo stabilitet politik, ndikim të huaja, manipulim informatash e gjëra të tjera”, tha Stano.
Zelensky i bëri thirrje BE-së që t’i kushtojë vëmendje Ballkanit, pasi tha “më besoni, ne kemi informacione, Rusia ka një plan të gjatë, shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani”.
I pyetur se a kanë ndonjë informatë specifike nga Ukraina, Stano tha se BE-ja s’i komenton informatat që i shkëmbejnë me partnerët e tyre, e sidomos kur është fjala për diçka specifike si kjo.
“Por, ne i kemi vëzhguar këto aktivitete të Rusisë për një kohë, kemi informata dhe jemi të vetëdijshëm se çka po tenton të bëjë Rusia dhe ne po punojmë me të vërtetë shumë me partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor për këtë. Kjo ishte po ashtu një çështje që është ngritur në takimin e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor me ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së”, tha Stano.